Mbyllet pelegrinazhi në Tomorr/ Rreth 700 mijë pelegrinë në Malin e Shenjtë, Teqeja akuzon pushtetin vendor

25/08/2026 15:31

Rreth 700 mijë pelegrinë nga e gjithë Shqipëria, Diaspora e bota u bënë bashkë në pelegrinazhin e Malit të Shenjtë të Tomorit që përmbyllet mbrëmjen e sotme.

Teqeja e Kulmakut ishte vendin ku besimtarët ngritën çadrat e tyre duke kryer jo vetëm kurbanin e festës, por duke ngjitur me këmbë edhe majën e Malit të Tomorrit, i cili ndodhet 2416 metra mbi nivelin e detit.

Megjithatë për masat e marra për mbarëvajtjen e këtij evenimenti Sekretari i Përgjithshëm i Teqesë së Kulmakut, Zalo Qato, ka akuzuar pushtetin vendor, që nuk i ka mbështetur gjatë 7-ditëve të pelegrinazhit.

Përgjatë 7 ditëve në Teqenë e Kulmakut dhe pranë varrit të Abaz Aliut janë kryer ritet fetare të festës ku çdo pelegrin është falur për shëndet, mirësi e paqe në familjet e tyre. Vetë pelegrinët shprehen se, çdo vit bëjnë qindra kilometra rrugë për të ardhur e për tu bërë pjesë e kësaj feste.

Për mbarëvajtjen e këtij aktiviteti si dhe shmangien e aksidenteve në rruge, policia e Beratit nisi këtë vit drejt Kulmakut 150 forca policie, që patrulluan në të gjitha akset rrugore që të çojnë drejt malit si dhe ishte hartuar një plan i detajuar masash për ruajtjen e rendit dhe qetësisë në mal.

Top Channel