Spanjë-Shqipëri, konfirmohet stadiumi dhe ora e miqësores së marsit

18/01/2022 16:14

Është konfirmuar tashmë ora dhe vendi ku do të luhet miqësorja e 26 marsit, Spanjë-Shqipëri.

Sipas marrëveshjes mes dy federative, ky takim do të luhet në stadiumin “RCDE”, që është shtëpia e skuadrës së Espanyolit, në Barcelonë, duke filluar nga ora 19:00.

Siç dihet tashmë, kjo do të jetë ndeshja e parë miqësore mes këtyre dy përfaqësueseve, të cilat deri më tani kanë luajtur ndaj njëra-tjetrës shtatë sfida, të gjitha të vlefshme për kualifikueset e kampionateve europiane dhe botërore.

Ndërkaq, më datë 29 mars 2022, Shqipëria do të zhvillojë një tjetër miqësore ndaj Gjeorgjisë. Kjo ndeshje do të zhvillohet në Shqipëri, sipas marrëveshjes së arritur mes dy federatave, ndërkohë që mbeten ende për t’u përcaktuar stadiumi që do të presë sfidën dhe ora kur do të luhet.

Këto miqësore zhvillohen në kuadër të përgatitjes së Kombëtares Shqiptare për ndeshjet e Ligës së Kombeve, që startojnë në muajin qershor. Trajneri Edoardo Reja do të ketë mundësinë që të testojë lojtarët dhe ekipi kuqezi pas thuajse 4 muajsh nga ndeshja e fundit.

Top Channel