Pas skandalit të rrjedhjes së listës së pagave të mbi 690 mijë qytetarëve, konfindustria kërkon që procesi i fiskalizimit të bëhet vullnetar dhe jo i detyrueshëm për bizneset.
Fiskalizimi bën të mundur që shoqëri të ndryshme private të kenë në dorë të dhënat e mijërave bizneseve dhe sipas drejtuesit të shoqatës Gjergj Buxhuku rreziqet janë të mëdha, në kushtet kur nuk garantohen standardet e sigurisë:
“Tashmë të dhënat e atyre që janë fiskalizuar ndodhen në serverat e kompanive ndërmjetëse, të cilat fare lehtë mund ta shpërndajnë kundërshtarëve të tyre dhe AKSHI nuk ka asnjë mundësi për t’i kontrolluar sepse nuk kontrollon dot serverin e vet. Imagjino të kontrollojë serverin e dhjetëra kompanive ndërmjetëse“.
Qeveria ka nënshkruar një marrëveshje të re për sigurinë kibernetike me kompaninë amerikane “Jones International”, por Tomi Kallanxhi, ekspert IT shprehet se duhet ndjekur një tjetër rrugë për mbrojtjen e sistemit:
“Të dhënat sensitive për klientët duhet të jenë totalisht të enkriptuara. Siguria kibernetike është të ruhesh nga një sulm i jashtëm dhe jo nga një sulm i brendshëm. Sado që mundohemi me të gjithë teknologjinë t’i automatizojmë sistemet, në fund ngelet në dorë të një punonjësi që vendos nëse do t’i nxjerrë këto të dhëna apo jo. Prandaj për mua duhet të përdoret teknologjia blockchain e enkriptimit, ndryshe do të ndodhë prapë si histori”.
AKSHI disa muaj përpara rrjedhjes së të dhënave harxhoi rreth 1 mld lekë në një tender për të siguruar monitorimin e aktivitetit të personave që kishin akses në sistem, por kjo nuk e ndali rrjedhjen e të dhënave.
Top Channel