Atmosferë festive në kryeqytet, ndizen dritat e pemës në “Sheshin Skënderbej”

04/12/2021 18:31

Numërimi mbrapsht për Vitin e Ri 2022 tashmë ka nisur, ndërsa kudo ndihet atmosfera festive.

Këtë mbrëmje, kryebashkiaku Erion Veliaj, në një festë të organizuar me fëmijët, ndezi dritat e pemës në sheshin “Skënderbej”.

Lojërat ku çdokush mund të argëtohet dhe shtëpizat prej druri ku më pas mund të bisedojnë me miqtë dhe të shijojnë një pije të ngrohtë do të mbledhë në ditët në vijim qytetarë nga Tirana dhe gjithë Shqipëria, ndërsa Veliaj premtoi se surprizat në këto festa nuk do të kenë fund.

Sheshi qendror i kryeqytetit u gjallërua edhe më tepër nga atmosfera e krijuar nga fëmijët me repertorin e këngëve festive. Veliaj u shpreh se bashkë me Tiranën që ndezi sot dritat e festës përmes pemës së Krishtlindjeve, po ndizet edhe drita e shpresës dhe e besimit te çdo qytetar i saj sidomos pas dy viteve të vështira që kaluam me tërmetin dhe pandeminë.

Në fakt ne në Tiranë dimë të ndezim drita. Ndezim drita nëpër shkolla. Ndezim sot dhe dritat e pemës, por pyetja më e rëndësishme është: A mund të ndezë gjithsecili prej nesh një dritë në zemrën e tij, një dritë që e bën pak më të mirë seç ishte këtë vit, pak më solidar, një shok më të mirë, një nxënës më të mirë, një qytetar më të mirë? Nëse ne ndezim këtë dritë në zemrën tonë, secili prej nesh këtë vit mund të bëjë gjëra të mrekullueshme”, u shpreh Veliaj.

Kreu i Bashkisë u shpreh krenar që më në fund Tirana arriti të ringrihet pas dy fatkeqësive më të mëdha të viteve të fundit: “Pyetja është nëse Tirana që unë kam bekimin e madh që t’i shërbej që është qyteti më i bukur, më i mdh, më i dashur e solidar i gjithë shqiptarisë është ngritur më e fortë, më e bashkuar dhe më e dashur, atëherë ia ka vlejt çdo mund, përpjekje dhe sakrificë”.

Veliaj ftoi këdo që t’i bashkohet kryeqytetit shqiptar në këto festa magjike. “Teksa numërojmë të gjithë mbrapsht për të ndezur dritat e pemës, për të hapur këtë fshat të madh, për të ftuar të gjithë shqiptarët dhe këdo që të vijë dhe t’i kalojë festat në Tiranë, unë dua që secili prej nesh të reflektojë nëse mund të ndezë edhe dritën e zemrës së vet, të mendjes së vet të bëhet pak më i mirë, të mos gjejë gjërat që na ndajnë po ato që na bashkojnë, atëherë Tirana në vitin 2022 ku ne do jemi dhe Kryeqyteti Europian i Rinisë do jetë më e fortë, më e bukur dhe më e dashur për të gjithë”.

FOTO GALERI
16/18

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA