Rikuperohen dy pikturat e vjedhura të Renoir me vlerë deri në 10 milionë euro, arrestohen gjashtë persona në Francë

09/10/2026 13:14

Policia franceze ka rikuperuar dy piktura të piktorit të famshëm Auguste Renoir, me vlerë të përbashkët prej 8 deri në 10 milionë euro, të cilat u vodhën në fillim të shtatorit nga muzeu i vendosur në rezidencën e fundit të artistit në jug të Francës.

Sipas televizionit francez BFMTV, veprat Madame Colonna Romano dhe Jeune femme au puits u gjetën të enjten, më 8 tetor, pas një operacioni policor të zhvilluar në mes të javës, gjatë të cilit u arrestuan gjashtë persona në zona të ndryshme të Francës.

Vjedhja ndodhi më 8 shtator, kur dy persona hynë me forcë në muze, duke hapur një vrimë në gardhin metalik të kopshtit. Ata arritën të hynin në ndërtesë dhe të hiqnin katër piktura, por u detyruan të braktisnin dy prej tyre gjatë arratisjes, pasi policia mbërriti në vendngjarje.

Sipas prokurorisë, katër veprat e shënjestruara nga autorët ishin ndër ekspozitat më të vlefshme të muzeut: Coco Lisant, Portrait de madame Stephen Pichon, Madame Colonna Romano dhe Jeune fille au puits.

Dy pikturat e rikuperuara nga autoritetet vlerësohen nga 8 deri në 10 milionë euro, sipas një burimi pranë hetimit, të cituar nga BFMTV.

Një ditë pas grabitjes, kryebashkiaku i qytetit, Brian Masson, i përshkroi autorët si persona shumë të organizuar dhe të mirëinformuar.

“Ata ishin profesionistë të vërtetë. Mbanin helmeta, doreza dhe maska, si dhe ishin shumë të informuar”, deklaroi ai për BFMTV.

Sipas kryebashkiakut, hajdutët përdorën një sharrë hekuri për të hequr pikturat nga vendet ku ishin ekspozuar dhe e përfunduan grabitjen në më pak se pesë minuta.

Hetimet vijojnë për veprat penale të vjedhjes në kuadër të një grupi të organizuar dhe formimit të një grupi kriminal me qëllim kryerjen e krimeve të tilla. Autoritetet po verifikojnë rolin e personave të arrestuar dhe përfshirjen e mundshme të tyre në grabitje.

Top Channel