Zbulohet anija 2,100-vjeçare në Mesdhe, mijëra enë luksoze qeramike ruhen pothuajse të paprekura

09/10/2026 13:24

Një anije e mbytur rreth 2,100 vjet më parë në Mesdhe, e mbushur me mijëra enë luksoze qeramike, është zbuluar nga arkeologët pranë brigjeve të Turqisë.

Ngarkesa, e përbërë nga vazo, pjata, tasa dhe tabaka të formave e madhësive të ndryshme, është ruajtur në gjendje të jashtëzakonshme, duke ofruar të dhëna të rëndësishme mbi tregtinë e mallrave luksoze dhe kulturën e të ngrënit në Romën e lashtë.

Ministri turk i Kulturës dhe Turizmit, Mehmet Nuri Ersoy, njoftoi se gërmimet nënujore, të nisura në vitin 2025, kanë nxjerrë në dritë mijëra objekte nga anija e mbytur.

Mbetjet e saj ndodhen në një thellësi prej rreth 55 metrash, pranë Adrasanit, në rajonin e Antalias. Sipas studiuesve, anija ishte nisur nga vendbanimi i lashtë i Rusoit, në territorin e sotëm të provincës Hatay, dhe dyshohet se po udhëtonte drejt Romës kur u përfshi nga një stuhi dhe u fundos pasi goditi një zonë të cekët.

Deri më tani, arkeologët kanë zbuluar mijëra enë qeramike, përfshirë pjata, tasa dhe tabaka në 122 forma dhe madhësi të ndryshme. Gjetjet dëshmojnë për nivelin e luksit që karakterizonte kulturën ushqimore të shtresave të pasura të shoqërisë romake.

Në rrënojat e anijes janë gjetur gjithashtu enë qeramike nga ishuj të ndryshëm të Egjeut, çka tregon se ngarkesa përfshinte produkte nga disa qendra prodhimi dhe se tregtia detare lidhte rajone të ndryshme të Mesdheut.

Rëndësia e zbulimit lidhet edhe me burimet historike që dëshmojnë për popullaritetin e qeramikës së Rusoit mes konsumatorëve të pasur. Në një letër drejtuar mikut të tij Atikus në vitin 50 para Krishtit, oratori dhe filozofi i njohur romak Ciceroni përmendte një porosi për enë qeramike nga ky vendbanim, duke treguar kërkesën për këto produkte në shoqërinë romake.

Një nga aspektet më të veçanta të zbulimit është gjendja në të cilën janë gjetur objektet. Sipas arkeologëve, enët ishin vendosur me kujdes në arka druri, ndërsa midis tyre ishte përdorur argjilë për të parandaluar thyerjen gjatë transportit.

Pas fundosjes së anijes, ky paketim duket se ka shërbyer si një mbrojtje natyrore, duke kufizuar dëmtimet dhe duke bërë të mundur ruajtjen e pjesës më të madhe të ngarkesës.

Në rrënoja janë gjetur gjithashtu monedha që datojnë nga shekulli I para Krishtit, të cilat i kanë ndihmuar studiuesit të përcaktojnë periudhën kur anija kreu udhëtimin e saj të fundit.

Ministri turk Mehmet Nuri Ersoy vlerësoi se zbulimi përfaqëson një dëshmi të rëndësishme të traditës së prodhimit të qeramikës në Anadoll dhe të lidhjeve tregtare që përshkonin Mesdheun në lashtësi.

Top Channel