Gjykata e Posaçme e Apelit ka lënë në fuqi vendimin e shkallës së parë për Emiljano Shullazin dhe grupin e tij, Gilmando Dani, Endrit Qyqja, Endrit Zela dhe Blerim Shullazi.

Dy vite më parë, Gjykata e Shkallës së Parë, më trupë gjykuese të kryesuar nga Fran Prendi dënoi me 14 vite burg Emiljano Shullazin për akuzat e gjobëvënies dhe krijim të grupit të strukturuar kriminal. Ndërkaq, me 12 vite burg u dënua Gilmando Dani, Indrit Qyqja me 10 vite, Indrit Zela me 10 vite dhe Blerim Shullazi me 9 vite burg.

Procesi gjyqësor u zhvillua nën masa të rrepta sigurie për shkak të çështjes së ndjeshme. Gjykata e zhvilloi seancën e fundit pa praninë e avokatëve të Shullazit, duke argumentuar se ata po sfidojnë drejtësinë. Megjithatë, pavarësisht bojkotit, kryetarja e trupit gjykues Miliana Muça, urdhëroi vijimin e gjykimin ndaj të pandehurit pa prezencën e avokatëve mbrojtës.

Gjyqtarja Muça ka argumentuar se ky vendim bazohet në një vendim të Gjykatës së Strasburgut, e cila argumenton se kur personit të arrestuar i jepen të gjitha mundësitë për t’u mbrojtur dhe ai refuzon të mbrohet, atëherë gjykimi ndaj tij mund të vijojë edhe pa avokatët mbrojtës.

Prokuroria në pretencën e saj ka kërkuar dënimin e Shullazit me 18 vite burgim. Përveç kësaj çështje penale, ndaj Emiljano Shullazit vijon të qëndrojë në fuqi edhe një masë e dytë sigurimi “arrest në burg”, për akuzën e “Vrasjes në rrethana cilësuese” në dëm të Vajdim Lamajt dhe Artan Arsit, ngjarje kjo e ndodhur në muajin shkurt 2005 në Tiranë.

Seancat ndaj Emiljano Shullazit dhe 4 të pandehurve të tjerë janë ndjekur në mënyrë të vazhdueshme edhe nga përfaqësues të Ambasadës Amerikane në Tiranë.

Që prej nisjes së procesit në dhjetor të vitit 2018, numri i seancave të shtyra në Apel ka qenë mbi 80, duke futur gjyqin në ngërç.

Kujtojmë se në fund të muajit korrik Shullazit iu shty edhe me një vit izolimi në regjimin ‘41 bis’.

 

Top Channel