Humbja në debutim është ogur i mirë për Kombëtaren? Maran “ngushëllohet” me historinë, por thyen një rekord negativ…
Trajneri i Kombëtares shqiptare, Rolando Maran, nuk e fshehu zhgënjimin pas humbjes së pësuar ndaj Luksemburgut, duke e cilësuar paraqitjen e skuadrës si një hap pas. Megjithatë, tekniku italian theksoi se ndeshjet e fundit i kanë shërbyer për të kuptuar më mirë potencialin e grupit dhe për të vlerësuar alternativat që ka në dispozicion.
Pas sfidës, Maran pranoi për DitiAlb se eksperimentet taktike të provuara gjatë këtyre ndeshjeve nuk funksionuan sipas pritshmërive, por shtoi se testet ishin të nevojshme për të krijuar një panoramë më të qartë për të ardhmen.
“Nuk mund të jemi të kënaqur pas dy humbjeve radhazi. Kjo ishte një paraqitje që na kthen pas dhe sigurisht nuk ishte ajo që dëshironim. Besoj se skuadra ka ndier ende pasojat emocionale të moskualifikimit, por kjo nuk duhet të shërbejë si justifikim. Për mua këto ndeshje ishin të rëndësishme për të kuptuar se çfarë funksionon dhe çfarë duhet ndryshuar”, u shpreh ai.
Sipas trajnerit, Shqipëria vuajti veçanërisht pas golit të pësuar në fillim të ndeshjes, duke humbur qartësinë në lojë dhe duke u larguar nga idetë taktike të përgatitura gjatë javës.
Maran pranoi se skuadra hasi vështirësi në zbatimin e kërkesave të reja, ndërsa theksoi se periudha e fundsezonit dhe gjendja fizike e disa lojtarëve ndikuan në performancë.
“Provova disa zgjidhje të reja për të parë reagimin e ekipit. Në disa momente kërkuam të shtonim diçka në lojën tonë, por në fund humbëm ekuilibrin. Tani e kam më të qartë se cilat janë karakteristikat e grupit dhe si duhet të ndërhyjmë për të mos përsëritur të njëjtat probleme”, deklaroi tekniku italian.
Ai mori mbi vete përgjegjësinë për paraqitjen, duke pranuar se ndoshta nuk arriti t’ua transmetonte lojtarëve në mënyrën e duhur idetë e tij, por theksoi se eksperienca e fituar nga këto teste do të jetë e vlefshme në të ardhmen.
Maran foli edhe për mungesat në repartin ofensiv, duke sqaruar se ndeshjet e fundit u përdorën për të krijuar alternativa të reja dhe për të testuar futbollistë të ndryshëm në role të caktuara.
Pavarësisht rezultatit negativ, trajneri vlerësoi përkushtimin e futbollistëve dhe atmosferën brenda grupit, duke nënvizuar se ka gjetur një skuadër të motivuar dhe të gatshme për të punuar.
“Pozitivja më e madhe është gatishmëria e lojtarëve. Ata dhanë maksimumin dhe u vunë plotësisht në dispozicion të skuadrës. Këto ditë më kanë ndihmuar të njoh më mirë grupin dhe të kuptoj më qartë materialin që kam në dispozicion. Jam i bindur se këto eksperienca do të na shërbejnë kur të rikthehemi për ndeshjet zyrtare të Ligës së Kombeve”, përfundoi Maran.
Top Channel