Mbi një miliard njerëz në të gjithë botën jetojnë me aftësi të kufizuar, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë.
Këta persona, përgjithësisht kanë më shumë probleme shëndetësore, mundësi më të pakta ekonomike, edukim dhe arritje akademike më të ulëta. Kjo ndodh më së shumti për shkak të barrierave me të cilat ata përballen në jetën e tyre të përditshme, se sa si rrjedhojë ekskluzive e aftësisë së kufizuar.
Aftësia e kufizuar nuk është thjesht një çështje e shëndetit publik, por gjithashtu e të drejtave të njeriut dhe zhvillimit të shoqërisë. Përpjekjet e OBSH-së për të mbështetur shtetet në aspekte të ndryshme, reflektohen në Planin e Veprimit për Personat me Aftësi të Kufizuar 2014-2021, në Raportin Botëror për Aftësinë e Kufizuar, si dhe në Konventën e të Drejtave për Personat me Aftësi të Kufizuar.
Dita Ndërkombëtare e Personave me Aftësi të Kufizuar 3 dhjetor, u vendos me Rezolutën 47/3 në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Qëllimi i kësaj dite është promovimi i të drejtave, mirëqenies, si dhe rritja e ndërgjegjësimit. Më 11 qershor 2019, sekretari i përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres, prezantoi Strategjinë për Aftësinë e Kufizuar në një linjë me angazhimet e tij, për të shndërruar Kombet e Bashkuara një organizatë gjithëpërfshirëse. Strategjia në fjalë, thekson nxitjen e një progresi transformues dhe të qëndrueshëm, riafirmon përmbushjen e plotë të çështjes së personave me aftësi të kufizuar, si pjesë integrale e pandashme e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut.
Kjo ditë i gjen personat me aftësi të kufizuar në vendin tonë në protestë.
Një ditë më parë ata u mblodhën para kuvendit kur po zhvillohej seanca e radhës parlamentare, ku kërkuan të rimarrin ndihmën ekonomike prej 30.000 lekësh, pasi thonë se duan të jetojnë të pavarur ekonomikisht dhe t’i zgjidhin vetë problemet e tyre.
Me para dhe tretraparaplegjikët diskutoi kryeministri Edi Rama. Një përfaqësues i tyre u shpreh se kanë dërguar një kërkesë në ministrinë e Financave ku kërkojnë ndihmën ekonomike, por nuk është bërë asgjë. Kryeministri i ftoi në diskutim me ministren dhe u premtoi se do ta shqyrtojë dhe vetë këtë çështje.
Top Channel