Bylisi pëson humbjen e parë, Erzenit i falet një shkodrani! Festojnë Apolonia dhe Besëlidhja

24/11/2021 16:38

Janë luajtur sot ndeshjet e javës së dhjetë në Kategorinë e Parë. Bylisi kryesues pëson humbjen e parë në Peqin, fitore minimale dhe e rëndësishme e Erzenit, teksa Korabi merr një pikë në Lushnje dhe renditet në vend të tretë.

Shkumbini fitoi 2-0 në Peqin ndaj Bylisit, duke i shkaktuar disfatën e parë sezonale ballshiotëve. Endri Magani zhbllokoi takimin në fundin e pjesës së parë, ndërsa goli i brazilianit Barbosa (58’) vulosi suksesin e ekipit bardhekaltër, që është ngjitur në vendin e shtatë.

Bylisi mbetet në krye, por diferenca me Erzenin ndjekës është reduktuar në 5 pikë. Skuadra e Nevil Dedes mposhti 1-0 Burrelin falë golit të shkodranit Jasmin Rraboshta në minutat shtesë të ndeshjes.

Asnjë gol nuk prodhoi sfida Lushnja-Korabi, me vendasit që regjistruan përballjen e katërt pa fitore në Kategorinë e Parë. Vendi i tretë me 19 pikë për ekipin dibran, që numëron tre pikë më pak se Erzeni.

Sota dhe Maksuti realizuan në pjesën e dytë golat që i dhuruan Apolonisë fitoren 2-0 në Fier përballë Turbinës. Feston edhe Besëlidhja, që triumfoi 2-3 në fushën e Maliqit, duke arritur suksesin e dytë radhazi në kampionat.

Redon Danaj ishte heroi i lezhianëve me tri gola, teksa vendasve nuk u shërbyen rrjetat e Kames dhe Demollarit në fraksionin e dytë të takimit.

Besa humbi 1-0 në Pukë përballë Tërbunit, që mori fitoren falë golit të Hysës në pjesën e parë. Të dy skuadrat ndajnë vendin e pestë me nga 15 pikë. Në takimet e tjera, Tomori ngeci në një barazim të bardhë shtëpiak përballë Butrintit, ndërsa Vora realizoi tre gola në suksesin përballë Pogradecit./ Supersport

Top Channel