Bilanci i energjisë korrik-shtator, eksporti u rrit me 2.3 herë teksa kriza ishte në horizont

24/11/2021 12:48

Zhvillimet në tregun e energjisë elektrike ishin pozitive në tremujorin e tretë të vitit, pavarësisht se kriza energjetike prej muajsh po jepte shenjat e saj në tregje. Kjo gjithsesi nuk ka penguar vende si i yni që të vijojnë eksportet të cilat në tremujorin e tretë të vitit u rritën me 2.3 herë në raport me vitin 2020.

Gjatë tremujorit të tretë të vitit 2021, energjia elektrike në dispozicion u rrit me 12,0 %, sipas INSTAT, i cili ka publikuar bilancin e energjisë elektrike për tremujorin e tretë 2021.

Prodhimi neto vendas i energjisë elektrike në këtë periudhë u rrit me 7.2%, duke arritur vlerën 1.371 GWh nga 1.280 GWh energji të prodhuar në tremujorin e tretë të vitit 2020.

Në totalin e energjisë elektrike të prodhuar, hidrocentralet publike kontribuan në masën 76,3 %, ndërsa hidrocentralet private dhe koncensionare në masën 22,7 % dhe nga të tjerë prodhues (energji e rinovueshme) në masën 1,0 % të prodhimit neto vendas të energjisë elektrike.

Importi bruto i energjisë elektrike (energji në marrje), në tremujorin e parë të vitit 2021, arriti vlerën 975 GWh nga 666 GWh që ishte në të njëjtën periudhë të një viti më parë, duke shënuar kështu një rënie me 46,5 %. Eksporti bruto i energjisë elektrike (energji në dhënie) arriti vlerën 323 GWh nga 139 GWh duke shënuar një rritje me 2,3 herë.

Në tremujorin e tretë të vitit 2021, hidrocentralet publike prodhuan 1.047 GWh nga 978 GWh të prodhuar në tremujorin e parë të vitit 2020, duke shënuar kështu një rritje të prodhimit me 7,1 herë. Hidrocentralet private dhe koncensionare, prodhuan 311 GWh nga 292 GWh të prodhuar në të njëjtën periudhë të një viti më parë, duke shënuar një rritje të prodhimit të energjisë elektrike me 6.7 %.

Shkëmbimi i energjisë elektrike (diferenca mes eksportit dhe importit bruto të energjisë), në tremujorin e parë të vitit 2021, ka pësuar një ndryshim me 23.7%, duke arritur vlerën negative prej 651 GWh, krahasuar me tremujorin e tretë të vitit 2020 ku kishte nje vlerë negative prej 527 GWh.

Humbjet në rrjet arritën vlerën 343 GWh nga 325 GWh duke shënuar kështu një rritje me 5,7 %. Humbjet në transmetim janë rritur me 16,7 % ndërsa humbjet në shpërndarje janë rritur me 4,3 %. Humbjet teknike në shpërndarje kanë shënuar një rritje me 7,8 %, ndërsa humbjet jo teknike në shpërndarje kanë shënuar një rënie me 2,2 %, krahasuar me tremujorin e tretë të vitit 2020. Ndikimi në rritjen e Humbjeve në shpërndarje e ka dhënë rritja e përdorimit të energjisë elektrike nga konsumatorët.

Përdorimi i energjisë elektrike nga konsumatorët, në tremujorin e tretë të vitit 2021, u rrit me 13,4 % duke arritur vlerën 1.679 GWh nga 1.481 GWh që ishte në tremujorin e tretë të vitit 2020. Ndikimin më të madh në rritjen e përdorimit të energjisë elektrike nga konsumatorët e kanë dhënë konsumatorët jo familjarë, ku kemi një rritje të konsumit të energjisë elektrike me 17,8 %, përkundrejt rritjes me 7,6 % të energjisë së konsumuar nga konsumatorët familjarë.

Top Channel