Rekord golash në superiore/ U shënuan 116 gola, asnjë herë më parë që kur kampionati është me 10 skuadra

23/11/2021 20:05

Ndeshja e mbrëmjes së djeshme në “Loro Borici” mes Kukësit dhe Tiranës i dha fund fazës së parë të Abissnes Superiores e cila ka regjistruar një sërë rekordesh.

Humbja e Tiranës prishi kolonën e vetme që një skuadër e kësaj kategorie kishte me 0, atë të humbjeve,  pasi verilindorët i shkaktuan humbjen e parë bardhebluve që gjithsesi me 3 pikë avantazh mbyllën këtë fazë të parë.

Në 45 ndeshjet e luajtura deri më tani, Superiorja kryesohet nga barazimet pasi 18 ndeshje kanë përfunduar në barazim, 15 i kanë fituar skuadrat vendase dhe 12 skuadrat udhëtuese.

Pavarësisht e barazimet janë kryefjala e kampionatit tonë në Abissnet Superiore, mesatarja e golave është më e larta që nga koha kur kjo kategori ka vendosur të jetë me 10 skuadra dhe me një skemë me 4 faza.

116 gola në 45 ndeshjet  luajtura nuk ishin shënuar ndonjëherë. Ndërkohë që vlen për t’u përmendur se në këtë sezon për herë të parë në futbollin tonë është përdorur sistemi i asistentit video të gjyqtarisë apo i quajtur ndryshe sistemi VAR.

Ky sistem ka ndërhyrë në 23 raste duke korrigjuar vendimet e marra nga gjyqtarët dhe siç dihet sistemi VAR ndërhyn vetëm në rastet e rëndësishme që do të thotë se ndërhyrjet kanë qenë për të akorduar apo anuluar penallti, gola apo kartona të kuq.

Edhe pse një shifër e lartë që sjell ndërmend gabimet e gjyqtarëve, kjo ndërhyrje ka bërë të mundur që ndeshjet Abissnet Superiores të jenë më të drejta për skuadrat dhe të pandikuara e gjyqtarëve.

Java e 10-të që përkon dhe më të parën e fazës së dytë do të startojë ditën e premte ndeshjen Partizani-Teuta, për t’i lënë rradhën ditën e shtunë ndeshjes Skëndërbeu-Tirana dhe Vllazna-Laci, ndërkohë që ditën e diel, luhet Dinamo-Kastrioti dhe Kukësi-Egnatia

Top Channel