Mali i Zi është në mesin e një krize qeveritare, teksa mosmarrëveshjet po shtohen në radhët e shumicës. Presidenti Millo Gjukanovic, njëherazi kryetar i partisë më të madhe opozitare (PDS), kërkon të marrë revanshin, thotë DW.
Ai vlerëson se është koha për të krijuar një mazhorancë më të gjerë e më të fuqishme pro-europiane. Sipas Gjukanovic, shumica aktuale në pushtet dëshiron ta kthejë vendin “dekada, ndoshta edhe shekuj prapa”. Në zgjedhjet parlamentare të 30 gushtit të vitit të kaluar pas tre dekadash, Partia Demokratike e Socialistëve (PDS) dhe partnerët e saj të koalicionit kaluan në opozitë, me një deputet më pak se koalicioni i tanishëm tre anëtarësh i kryesuar nga Fronti Demokratik, Demokratët dhe Lëvizja Qytetare URA, që mbështesin qeverinë e kryeministrit Zdravko Krivokapic.
Por ndërsa shumica qeveritare po përpiqet që deri në fund të kësaj jave të gjejë një zgjidhje për vazhdimin e qeverisjes, në radhët e opozitës po shtohen zërat për krijimin e një qeverie teknike, e cila do të përgatiste zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Analistët thonë se tashmë është e qartë se mazhoranca parlamentare nuk mund të arrijë një konsensus, qoftë edhe për gjërat elementare, ndaj prej muajsh flitet për rikompozim te skenës politike ne vend ose mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme.
Top Channel