Fekir humb toruan, sherr masiv në përfundim të ndeshjes Leverkusen-Betis

05/11/2021 09:49

Bayer Leverkusen u rikthye te fitorja pas pesë ndeshjeve radhazi pa sukses dhe këtë e bëri me një rezultat të jashtëzakonshëm 4-0 ndaj Betis Sevillas.

Spikati në këtë përballje të Europa League-s Diaby autor u dy golave të parë dhe i dy asisteve.

Mirëpo mbrëmja perfekte e “Aspirinave” u ndot nga një episod i keq që ndodhi pas përfundimit të garës: një sherr masiv që nisi nga përplasja mes Nabil Fekir dhe Kerem Demirbay.

Mesfushori i Leverkusenit goditi “playmakerin” e Betisit, i cili po e mbante topin me këmbëngulje dhe forcë edhe pse ndeshja praktikisht kishte përfunduar. Sjellja e kundërshtarit nuk i pëlqeu Fekirit. Në përplasje e sipër, francezi i vuri duart në fytyrën e Demirbay-t.

Në çast u vërsulën të gjithë të tjerët, duke filluar nga Tapsoba, i cili shkoi menjëherë të konfrontohej me Fekirin. Të dy u ndanë nga bashkëlojtarët dhe stafi teknik. Gjyqtari anglez, Anthony Taylor, nuk e kurseu kartonin e kuq për për të dy lojtarët (Fekir dhe Demirbay).

Për Betisin ishte humbja e parë në grup, por gjithsesi mbetet në vendin e dytë, me një pikë më shumë se Celtic. Leverkusen kryeson me 10 pikë dhe e sheh më afër fazën e 1/16-ave.

Top Channel