Allegri: Në 2 ndeshje hodhëm në det atë që ndërtuam në 45 ditë!

01/11/2021 18:23

I ashpër Massimiliano Allegri në konferencën për shtyp para ndeshjes ndaj Zenit në Champions League, sfidë që mund të kualifikojë edhe matematikisht në 1/8-at bardhezinjtë në rast fitoreje ose barazimi.

Trajneri livornez ka treguar grintën e tij përpara gazetarëve duke thumbuar futbollistët që sipas Allegrit me dy humbjet e fundit ndaj Sassuolos dhe Veronës në kampionat kanë hedhur poshtë një muaj e gjysmë punë plot përkushtim.

“Të kualifikohemi në 1/8-at e Champions League është objektivi i parë i sezonit dhe të arrijmë këtë objektiv dy raunde para përfundimit të fazës së grupeve do të ishte diçka shumë e bukur, pasi do të na jepte mundësinë të përqëndroheshim vetëm te kampionati. Në këtë moment të gjithë jemi të mërzitur me veten për faktin që në 2 ndeshje hodhëm në det gjithçka që ndërtuam në një muaj e gjysmë. Kjo duhet të na bëjë të reflektojmë dhe të punojmë për t’u përmirësuar”.

Përballë rusëve të Zenit Allegri mund të propozojë që nga minuta Chiesan dhe De Ligt, ndërkohë që të dëmtuar janë Kean, Ramsey dhe De Scglio.

Top Channel