“Hensi Transport” është kompania, në kamionin e së cilës mëngjesin e sotëm, u gjetën 45.5 kilogramë heroinë, në Portin e Durrësit. Kamioni, sikurse ky që shihni në foto, kishte destinacion Italinë dhe shërbente për transportimin e kromit.
Më herët policia bëri të ditur se si rezultat i finalizimit të operacionit “Portëz” ranë në pranga pronari i mjetit, Arian Çerma dhe drejtuesi i tij, Olgert Duda, por asnjëri prej tyre nuk ka pranuar dijeninë mbi sasinë e heroinës.
Kamioni, që kishte për destinacion shtetin italian ishte i ngarkuar me krom. Pas kontrollit të imtësishëm në kabinën e kamionit u gjetën të fshehura 43 pako të mbështjella me natriban brenda të cilave kishte lëndë narkotike.
“Task Forca permanente që operon në Portin e Durrësit, bazuar në informacionet e grumbulluara, ka ushtruar kontroll të imtësishëm në kamionët në hyrje dhe në dalje. Gjatë kontrollit në dalje në vijën e dytë, në kamionin tip “Scania” në pronësi të shtetasit A. Ç., që drejtohej nga shtetasi O. D. dhe i ngarkuar me krom, me destinacion shtetin italian, me konkretisht në kabinën e kamionit, u gjetën të fshehura 43 pako të mbështjella me natriban brenda të cilave kishte lëndë narkotike të dyshuar heroinë, me peshë totale 45 kilogramë e 500 gramë”, njoftoi mëngjesin e sotëm policia.
Top Channel