Zjarri në kodrat e Apolonisë merr përmasa të mëdha, flakët e favorizuara nga era rrezikojnë banesat

22/09/2026 17:53

Zjarri që ka përfshirë kodrat pranë Apolonisë ka marrë përmasa të mëdha, duke prekur edhe një pjesë të territorit të parkut arkeologjik, në pjesën lindore të tij.

Flakët që po avanconin drejt brendësisë së parkut janë neutralizuar falë ndërhyrjes së punonjësve të parkut dhe forcave zjarrfikëse, duke shmangur përhapjen e mëtejshme në zonën e monumenteve.

Ndërkohë, situata mbetet kritike jashtë territorit të parkut. Të favorizuara nga era e fortë, flakët po përhapen me shpejtësi, duke djegur qindra rrënjë ullinj dhe sipërfaqe të konsiderueshme me bimësi.

Zjarri po avancon në drejtim të fshatit Kryegjatë, ndërsa flakët po përhapen në një sipërfaqe gjithnjë e më të madhe dhe po rrezikojnë banesa e prona.

Në përpjekje për të mbrojtur pasuritë e tyre, banorët e zonës janë përfshirë drejtpërdrejt në luftën me flakët, duke tentuar të ndalojnë përhapjen e zjarrit drejt banesave dhe tokave bujqësore.

Ndërkohë, forcat zjarrfikëse vijojnë ndërhyrjen për të vënë nën kontroll vatrat e zjarrit dhe për të shmangur një përhapje të mëtejshme të flakëve.

Top Channel