Salah i “vjedh skenën” Ronaldos, Man. United sheh makthe në “Old Trafford”

25/10/2021 09:21

Ishte testi i të vërtetës për Manchester United, që pas një merkatoje verore tejet të bujshme, duhej të tregonte se ka ardhur momenti të garojë për titullin kampion në Premier League, por mori një shuplakë tejet të rëndë, që do t’i djegë gjatë.

Në “Old Trafford” ishte Liverpooli zot dhe “djajtë e kuq” panë makthe në një ndeshje ku ishin të pranishëm vetëm për 5 minuta, sepse më pas treguan se janë ende larg niveleve më të larta dhe u dorëzuan pa kushte ndaj Salah me shokë.

Bruno Fernades pati mundësinë të ngrejë në peshë “Old Trafford”, megjithatë shpërdoroi një mundësi të artë, ndërsa në minutën e 5-të është Nabi Keita, që konkretizon me gol një kundërsulm perfekt të “the reds”, duke i hapur udhë një fitoreje me goleadë.

Në minutën e 13’ është portugezi Diogo Jota që dërgon topin në rrjetën e portës së De Geas, ndërsa më pas skenën e rrëmben Salah, që i tregon Ronaldos së koha e tij ka përfunduar, pasi me një thjeshtësi për t’u admiruar, shënon edhe dy herë të tjera, duke çuar të tijtë në dhomat e zhveshjes me avantazhin 4-0.

Edhe pjesa e dytë nis sërish me Salah protagonist, që në mundësinë e parë të krijuar, mposht për herë të 5-të portierin De Gea dhe kompleton tripletën personale, duke merituar të marrë në shtëpi topin e një ndeshjeje që do ta mbajë gjatë në memorie.

Në hije për minuta të tëra, Cristiano Ronaldo tregon se është aty, pasi arrin të shënojë një gol mjaft të bukur nga brenda zonës, por nuk mund të festojë, pasi VAR-i sinjalizon një pozicion jashtë loje të portugezit.

Si për të konfirmuar pasditen e tmerrshme të “djajve të kuq”, Paul Pogba bën një ndërhyrje mjaft të ashpër ndaj Keita dhe dërgon këtë të fundit jashtë fushe me barelë, ndërsa vetë ikën gjithashtu në dhomat e zhveshjes, pasi e ka të pamundur të shmangë kartonin e kuq.

Janë luajtur vetëm 60 minuta, por sfida duket e përfunduar dhe tifozët e manchester United nisin të largohen në mënyrë masive nga “Old Trafford”, ndërsa kënga e vetme që dëgjohet në sfond është himni i Liverpool, “You Will Never Walk Alone”.

Deri në fund nuk ka asgjë për t’u shënuar, me Liverpool që duket se vendos të mos shënojë më dhe t’i kursejë shuplakat ndaj kundërshtarit të dorëzuar. Me tre pikët e marra sot, Liverpool shkon në kuotën e 21 pikëve, në vendin e dytë, ndërsa Manchester United mbetet 8 pikë larg kreut dhe minimizon shanset për t’u rikthyer te titulli.

Top Channel