Krijohet “cikloni-bombë”, ekspertët: U bashkua me një “lumë atmosferik”

25/10/2021 14:33

Një ciklon-bombë nga Paqësori po i afrohet Kalifornisë ku rrezikon të shkaktojë shira ekstreme dhe reshje dëbore.

Revista Science shkruan se bomba e motit është bashkuar me atë që ajo e quan “një lumë atmosferik” dhe pason një verë të pllakosur nga thatësira të mëdha e zjarre masive pyjore.

Tani, Shteti i Artë duhet të përgatitet për përmbytje të mëdha dhe rrëshqitje toke. Termi “ciklon bombë” i referohet procesit të intensifikimit të shpejtë të stuhisë – apo “bombogjeneza”,- siç e quajnë ndryshe.

Lumenjtë atmosferikë ose rrjedhat gjigante të ajrit të lagësht në qiell vlerësohen nga ana tjetër në bazë të potencialit të tyre për dëmtim; kategoria 5 është më e forta, ose “më e rrezikshme”, dhe bart mundësinë për erëra të forta, përmbytje, e rrëshqitje dheu, sipas Departamentit të Burimeve Ujore të Kalifornisë.

Shërbimi Kombëtar i Motit në Sacramento lëshoi paralajmërime të shumta për një përkeqësim të beftë të situatës. Washington Post po ashtu shkruan se paralajmërimet për përmbytje janë në fuqi për zonat qendrore dhe veriore të Kalifornisë.

Top Channel