Daja: Derbi u vendos nga një gabim i yni, ja pse nuk luan Herald Marku

25/10/2021 22:59

“Një episod vendosi ndeshjen”, deklaroi trajneri Ilir Daja pas ndeshjes në emisionin “Gol pas Goli”, ku theksoi se partizani i tij u shfaq superior ndaj kundërshtarit.

“Kemi humbur një derbi që u vendos nga një episod, pasi më vjen keq që një mbrojtës me eksperiencë si belica shkakton faull në një situatë ku nuk ka asnjë rrezikshmëri. Nuk dua të justifikohem për mungesat që kishim, por më vjen keq për episodin. Besoj që për shumicën e kohës e kemi mbajtur kundërshtarin te gjysmëfusha e tij.

Nëse do të kishim luajtur keq, do të flisnim ndryshe, por unë them se bëmë shumë mirë, ndonëse kishim shumë lojtarë të rinj dhe disa luanin për herë të parë një derbi. Besoj që do të dalim shumë shpejt nga kjo gjendje, pasi në fund të fundit, asnjë nga ekipet nuk na ka dominuar në fushë.

Nga lojtarë si belica e Mala presim të bëjnë diferencën, por nuk kishim as alternativa të ndryshonim. Nëse do të kishim më shumë zgjidhje në mesfushë, mund që sulmuesit t’i çonim më afër zonës kundërshtare. Junior kthehet shumë mbrapa, pasi mungon pasi i fundit dhe krahët janë shumë mbrapa për të furnizuar me topa.

E kishim studiuar Tiranën dhe në mungesë të Kaçes, na duhej një lojtar që të nxirrte topin nga poshtë, ndaj më i miri që kishim në dispozicion, ishte Mala. Mund të kishim startuar edhe me Maguetthe, por nuk doja të fusja shumë të rinj në një derbi, pasi ai është vetëm 18 vjeç.

Marku ka qenë titullar edhe në Shkodër, por edhe te ne në fillim të sezonit, por nuk është përshtatur mirë me ritmin që kërkojmë ne nga mesfushorët. Është një lojtar që mund të na shërbejë, por ndoshta akoma nuk është përshtatur, pasi ndryshon edhe stili i lojës që kemi ne, në raport me atë që ai ka bërë sezonin e kaluar te Vllaznia.

Kemi gjëra për të rregulluar, por përjashto pjesën e parë ndaj Kukësit, në të gjithë ndeshjet e tjera, kemi qenë ne që kemi dominuar, ndaj kjo na jep qetësi psikologjike dhe mund të shkojmë aty ku duam me organikën që kemi.

Nëse ne nuk do kishim bërë gabime, si ai sot, por edhe në javët e tjera, atëherë do kishim shumë më tepër pikë. nëse nuk do kishim humbur kaq shumë raste, pasi jemi ekipi që kemi goditur më shumë portat kundërshtare, sërish do të kishim më shumë pikë. Ekipi ka prodhuar shumë, por presioni për mungesën e fitores ndoshta na shton pak konfuzionin, pasi e shprehim kur shkojmë te porta kundërshtare. Do të punojmë që të rregullojmë finalizimin”, deklaroi Daja.

FOTO GALERI
1/47

Top Channel