Presidenti Ilir Meta ka reaguar pas ngjarjeve të rënda kriminale të ndodhura në Fushë Krujë dhe në Fier.
Përmes një postimi në rrjete sociale, Meta shkruan se dënon me forcë këto akte kriminale, të vrasjes së biznesmenit në Fier dhe dhunimit të sipërmarrësit tjetër në Nikël.
Presidenti kërkon zbardhjen e ngjarjeve që tronditën thellë opinionin publik, të cilat përbëjnë një kërcënim serioz për rendin dhe sigurinë e jetës së qytetareve.
Më tej, Meta i bën policisë së shtetit dhe institucioneve të tjera ligjzbatuese që të forcojnë bashkëpunimin për arrestimin e autorëve, për t’i vënë ata përpara drejtësisë.
“Dënoj me forcë aktet tepër të rënda kriminale të ditëve të fundit, vrasjen e biznesmenit Backa në qendër të Fierit, si dhe grabitjen dhe torturimin e biznesmenit Çangu në Nikël të Krujës.
Këto ngjarje, që kanë tronditur thellë opinionin publik, përbëjnë një kërcënim serioz për rendin, sigurinë e jetës dhe pronës së qytetarëve, por edhe për zhvillimet ekonomike dhe sociale të vendit.
I bëj thirrje Policisë së Shtetit, Prokurorisë, Shërbimit Informativ të Shtetit, si dhe të gjithë institucioneve të tjera ligjzbatuese në vend, të forcojnë bashkëpunimin për arrestimin e menjëhershëm të autorëve me rrezikshmëri të lartë dhe vënien e tyre para drejtësisë, por edhe për të marrë të gjitha masat efektive për të parandaluar ngjarje të tilla të rënda dhe tronditëse kriminale” shkruan Meta.
Top Channel