Femra/ Megi Doçi merr për dore Shqipërinë, fitore me goleadë ndaj Armenisë

21/10/2021 20:38

Përfaqësuesja shqiptare e futbollit të femrave mori një fitore me goleadë ndaj Armenisë në “Air Albania”. Vajzat e drejtuara nga Armir Grima fituan thellë 5-0, duke siguruar suksesin e parë në Grupin F eliminator të Botërorit, pas barazimit me Kosovën dhe humbjes së rëndë në fushën e Belgjikës.

Spikatën në radhët e Shqipërisë me nga një dygolësh e zakonshmja Megi Doçi dhe sulmuesja e skuadrës së Bazelit, Mimoza Hamidi, ndërsa të fundit e realizoi Esi Lufo.

Numri 11 i skuadrës sonë, frymëzuesja e thuajse çdo aksioni të Shqipërisë e zhbllokoi takimin që në minutën e 12-të, ndërsa katër minuta më vonë ftoi në goditje Hamidin, me një krosim të saktë nga e majta për golin e 2-0.

Në fund të pjesës së parë pati kohë për një tjetër gol të shënuar nga Megi Doçi, e ndihmuar edhe nga devijimi i një mbrojtëseje.

Skuadra e Grimës u shfaq dominuese në fushë edhe gjatë fraksionit të dytë, por pavarësisht një morie rastesh, shënoi vetëm dy gola me Mimoza Hamidin dhe Esi Lufon.

Përfundimisht 5-0 në “Air Albania”, një fitore e merituar për Shqipërinë, që tashmë ngjitet në kuotën e katër pikëve, duke lënë pas si Armeninë dhe Kosovën.

Top Channel