“Zjarri” i fundjavës pushton Europën, vjen e diela më e famshme e futbollit

20/10/2021 16:19

Arenat më të mëdha të kontinentit po përgatiten për betejat më spektakolare! Bëhuni gati edhe ju! Kjo është fundjava më e famshme e futbollit në platformën që bashkon më të mëdhenjtë: DigitAlb sjell historinë, të tashmen dhe të ardhmen, në rivalitetin më të ndezur të ajkës së futbollit europian!

Një të diel si kjo, vështirë se do ta gjeni, pasi fati si në një koincidencë hyjnore sjell mundësinë për të parë në një ditë të vetme, klasiket më të mëdha të kontinentit. Në Barcelonë luhet “El Clasico” Barcelona-Real Madrid. Përballja më e ndjekur e gjithë globit, në sfidën mes gjigantëve iberike, tanimë pa Messin e Ronaldon, por me të njëjtin status, si sfida që bashkon rivalitetin dhe virtuozitetin maksimal të futbollit.

Barcelona e Koeman që në “Camp Nou” me një moto të ngjashme si ajo e “No Pasaran”, kërkon të pengojë hegjemoninë e re që po tentojnë të ngrenë Los Blancos. Futbolli i ngritur në një vepër arti, vjen me El Clasicon në Supersport në 16:15.

Lufta për dominimin e historisë, traditës të vendit që e shpiku lojën, Anglisë, merr jetë në “Teatrin e Ëndrrave”. Manchester United pret Liverpoolin, në më klasiken e futbollit “british”. Është ajo sfida më rivalizuese e futbollit anglez, me aktualitetin që nuk tradhton historinë dhe përball dy skuadra elektrizuese.

“Të Kuqtë” e Klopp me Mohamed Salah, njeriun që vetëm pak ditë më parë gjermani e etiketoi “si më të mirin e momentit”, deklaratë që motivon padyshim më tepër Cristiano Ronaldon, që ka rastin t’i tregojë këtë të diel se mbretërimi i tij ende nuk ka mbaruar. Unitedi i tij kërkon rikthimin në maja dhe për t’ia dalë, duhet patjetër të kalojë nga një sfidë si kjo, më e madhja në Angli. Solskjaer e di mirë se kjo është sfida që ha koka trajnerësh, si ajo e Mourinhos pak vite më parë dhe beteja pritet të jetë vërtet epike!

Zjarri i të dielës së madhe europiane përfshin edhe Holandën. Ajaksi i Amsterdamit pret PSV Eindhoven. Dy skuadrat që kanë dominuar për gjithë këto dekadat e fundit futbollin holandez, përballen për kreun e klasifikimit dhe mbizotërimin në “Tokën e Tulipanëve”. Një Ajaks fantastik, “bombardues” golash, i aftë të gjunjëzojë 4-0 Dortmundin e Haaland, në furinë e tij dhe atmosferën e jashtëzakonshme të Arenës që mban emrin e legjendarit Johan Cruif, përballë pengesës PSV Eindhoven, e vendosur më shumë se kurrë për të shkurorëzuar “harkëtarët” nga froni i kampionëve në atë që për ta është përballja e jetës. Karakteristika identifikuese, golat dhe loja sulmuese janë kartëvizita më e mirë e duelit maksimal të futbollit holandez.

E diela e përballjeve epike në Supersport, vijon me më klasiken e Francës. Ligue 1, futbolli që po shumëfishon vlerën, shikueshmërinë, të ardhurat, vëmendjen, falë rritjes gjigante dhe yjeve të panumërt si Messi, Neymar dhe Mbappe, në historinë e re të Parisit që ngrihet mbi gjithë të tjerët. Skuadra e sheikëve duhet ta tregojë këtë përballë rivales më të madhe që nga ekzistenca e tyre, Olimpikut të Marsejës, ekipit që në përballjen me kryeqytetasit ka bërë historinë e futbollit francez dhe që do të japë shpirtin në fushën e Velodrome për të treguar se në futboll nuk vlejnë vetëm paratë apo yjet dhe Derbi i Francës nuk mund të pronësohet nga sheikët.

E shkuara përballë të ardhmes, paratë kundër historisë, yjet kundër yjeve, më të mirët kundër më të mirëve, ambicia për dominim, vjen këtë të diel nga arenat më të mëdha të Kontinentit të Vjetër. “Camp Nou”, “Old Trafford”, “Amsterdam Arena” dhe “Velodrome” janë fushë-betejat e mëdha të futbollit Europian. Të gjitha vijnë te ju në një ekran të vetëm, atë të Digitalb. Shënojeni datën që tani në kalendar, 24 tetor! Është një e diel ku çdo impenjim tjetër nuk vlen, takimin e madh e keni me një pasdite të paharrueshme futbolli, ty ku ka vend për të gjithë, në SuperSport!

Por nuk mbaron gjithçka këtu, sepse si për të konfirmuar një futboll në rritje dhe një Shqipëri gjithnjë e më prezente në hartën europiane të futbollit, e hëna sjell derbin Tirana-Partizani. Rivaliteti më i ethshëm i futbollit tonë, merr skenën në “Air Albania”, arenën që vendos dominimin e kryeqytetit, epilogu më i mirë për një fundjavën më të famshme të futbollit!/ Super Sport

Top Channel