Përballja me Partizanin/ Drejtori bardheblu: Derbin e fiton Tirana 2-0

20/10/2021 17:19

Pas pesë javësh kampionat Tirana udhëheq Abisnes Superioren me 11 pikë dhe fitorja e kaluar me Teutën i ka dhënë një moral të lartë në prag të ndeshjes të së hënës, përballja në derbin me Partizanin.

Në ndeshjet që bardheblutë kanë shkuar si pretendentë për shkak të pozitës në klasifikim gjithmonë e ka patur më të vështirë të marrë një rezultat pozitiv, por drejtori sportiv Tefik Osmani tregon se lojtarëve po mundohen ti frenojnë euforinë.

Tefik Osmani: Jemi munduar shumë ta përjetojmë si ndeshjet e tjera të kampionatit. Lojtarët kanë për detyrë të stërviten mirë dhe të bëjnë atë që thotë trajneri, më pas gjithçka është e sigurtë.

Bardheblutë kërkojnë të shesin 100% të biletave për t’i rikthyer derbit atmosferën që meriton ashtu si është luajtur edhe më parë, përpara pandemisë, por për momentin gjithçka mbetet pezull.

Tefik Osmani: Kemi nxjerrë në shitje biletat aq sa e lejon ligji dhe jemi në bisedime që të bëjmë edhe ne një ndeshje me stadiumin plot pasi ky derbi vërtet e meriton këtë e dijnë të gjithë. Ky derbi e ka treguar se e mbush stadiumin prandaj shpresoj dhe besoj që do të marrim një përgjigje pozitive.

Sa i vështirë është ky derbi për Tiranën?

Tefik Osmani: Neve që kemi luajtur futboll e dijmë që derbi fitohet. Trajneri e ka shumë të lehtë të karikojë skuadrën. Gjithçka është në dorën e lojtarëve janë ata që e vendosin një derbi.

Një parashikim?

Tefik Osmani:  Një parashikim?! Unë them që fitojmë 2-0.

 

Top Channel