Serbia ka shkaktuar tre luftëra civile në Ballkan, koloneli Demiraj apel BE e SHBA: “Hapni sytë”

15/10/2021 12:08

Ish-koloneli shqiptar, Dritan Demiraj, ka reaguar pas videos së ushtarëve serbë në Rashkë, e cila u bë virale. Përpara presidentit Aleksandar Vuçiç, ata kënduan këngë për marshim drejt Kosovës, çka nuk kaloi pa reagime.

Përmes një statusi të gjatë në Facebook, Demiraj, që ka shërbyer në misione ndërkombëtare edhe në Lindje të Mesme dhe ka qenë pjesë e manovrave të NATO-s, tha se vizita e Vuçiçit në Kralevë për të vizituar xhandarmërinë serbe, fill pas ndërhyrjes së Policisë së Kosovës në luftën kundër kontrabandës së mallrave dhe krimit të organizuar është padyshim provokimi i radhës i tij ndaj botës së civilizuar.

Këto sjellje të papërgjegjshme në prani të presidentit që hiqet si i “moderuar” dhe “perëndimor” duhet të jenë një kambanë alarmi për SHBA-të dhe BE-në, thotë ushtaraku i lartë.

Serbia edhe pse ka shkaktuar tre lufta civile në Ballkan, duke sjellë gjenocid, vrasje, masakra dhe përdhunime të mijëra grave dhe fëmijëve të pafajshëm në Kosovë, Bosnje dhe Kroaci, sërish shfaqet e etur për t’u kthyer në Kosovë.

Ka ardhur koha që SHBA-të dhe BE-ja të shpallin përgjegjës presidentin Vuçiç, ministrin e Mbrojtjes Stefanoviç dhe ministrin e Brendshëm Vulin si persona përgjegjës që nxisin urrejtje dhe po destabilizojnë rajonin”, vazhdon statusi i tij.

Aksioni i 13-të tetorit i Policisë dhe Doganës së Kosovës, që u zhvillua në rajonin e Prishtinës, Pejës, Mitrovicës së Jugut dhe Mitrovicës së Veriut, u prit me protesta dhe bllokada.

Gjatë përleshjeve mes Policisë dhe protestuesve, autoritetet njoftuan se u lënduan dhjetë policë, ndërkaq, autoritetet shëndetësore në Mitrovicë të Veriut thanë se edhe dhjetë qytetarë kërkuan ndihmë mjekësore.

 

Top Channel