Video/ Broja makth i Hungarisë, vjen nga stoli dhe u jep 3 pikë kuqezinjve

09/10/2021 22:45

Duhej një fitore ndaj Hungarisë për të mbajtur gjallë ëndrrën Katar 2022 dhe e bëmë sërish falë Armando Brojës, që ashtu si në “Elbasan Arena”, edhe në Budapest erdhi nga stoli për të bërë lëmsh mbrojtjen maxhare dhe për të dërguar topin në rrjetë.

Shqipëria e Rejës bind sërish dhe rregullon bilancin ndaj një Hungarie, që na kishte mposhtur gjithmonë, por atëherë nuk luante Armando Broja, i cili ka shënuar dy golat e vetëm në histori, në portën maxhare, duke na dhënë një tjetër 3-pikësh, që na mban në vendin e dytë me 15 pikë.

Kuqezinjtë bëjnë një ndeshje mjaft të mirë e me autoritet në “Puscas Arena” dhe i shkuan shumë pranë golit me Myrto Uzunin dy herë dhe Klaus Gjasulën në pjesën e dytë, por pa rezultat deri kur trajneri Reja vendos të freskojë sulmin me aktivizimin e Manajt dhe Brojës.

Pikërisht sulmuesi i Southmptonit në Premier League bën gjithçka në mënyrë perfekte në minutën e 80′, duke dribluar këdo që gjen përpara dhe duke dërguar topin në rrjetë, nga një kënd gati-gati i pamundur.

Në një mbrëmje mjaft të rëndësishme, që u komplikua nga dëmtimi i pafat i Berat Gjimshitit, kuqezinjtë tregojnë sërish vlerat në fushë dhe marrin një fitore historike, që do të marrë edhe më shumë kuptim, nëse shoqërohet me 3 pikë të tjera ndaj Polonisë në martën në “Air Albania”.

Hungari-Shqipëri 0:1    Broja 80′  

Kronika e ndeshjes:

– Përfundon sfida në “Puscas Arena” me Shqipërinë që triumfon 0-1 falë golit të Brojës dhe ruan vendin e dytë në grup

 

86′ – Ka minuta edhe për Balliun, që merr vendin e Trashit

 

 80′ – Gooooooooool. Armando Brojaaaaaaaa. Sërish ai që shënon në portën e hungarezëve dhe sërish një gol i mrekullueshëm. Driblime fantastike, hyrje në zonë dhe më pas një goditje nga një kënd zero, që ndalet në rrjetën e portës së Gulacsit. 

 

77′ – Tjetër tentativë e vendasve, por topi përfundon në duart e Berishës

 

74′ – Shtylla shpëton Berishën dhe Shqipërinë. Vendasit kërcënojnë me një goditje dënimi, por ndonëse me portën e boshatisur, gjejnë vetëm shtyllën e portës së kuqezinjve, ndërsa më pas Manaj largon rrezikun.

 

 73′ – Ndëshkohet edhe Lorenc Trashi për një ndërhyrje të ashpër me takë

 

68′ – Tjetër aksion i bukur i kuqezinjve, me topin që shkon te Gjasula, i cili lëshon një të djathtë t hidhur nga distanca, por topi shkon ngjitur me shtyllën e portës maxhare.

 

66′ – Reja freskon sulmin. Largohen Cikalleshi e Uzuni, për t’u lënë vendin Brojës dhe Manajt

 

65′ – Sërish mundësi ideale për kuqezinjtë. Cikalleshi depërton bukur dhe shërben për Trashin, i cili kroson bukur në zonë për Uzunin, që gjuan me kokë nga brenda zonës së 5-metërshit, por dërgon topin në duart e portierit Gulacsi.

 

61′ – Ndëshkohet edhe Gjasula për një faull taktik në mesfushë

 

59′ – Schon merr vendin e sulmuesit Salloi

 

58′ – Rast i Artë për Shqipërinë. Uzuni niset i vetëm me portierin dhe pasi arrin në hyrje të zonës, gjuan, por Gulacsi grushton në këndore. Sulmuesi beratas shpërdoron një tjetër mundësi perfekte shënimi. ndërkohë nga goditja e këndit, topi shkon te Trashi, që provon të majtën, por pak mbi kuadrat.

51′ – Veseli rikuperon me fat një top në zonën kundërshtare dhe e dërgon te Cikalleshi, që provon kthesën e menjëhershme, por sfera përplaset në trupin e një mbrojtësi hungarez dhe del nga zona.

 

46′ – Rast i rrezikshëm për Hungarinë, që zbret rrezikshëm nga e majta. Shërbehet mirë Salloi në qendër të zonës dhe kthen menjëherë, por topi përfundon jashtë, ngjitur me shtyllën e Berishës.

 – Starton pjesa e dytë. Trajneri Reja lë në dhomat e zhveshjes Endri Çekiçin dhe hedh në fushë Nedim Bajramin.

 

 – Mbyllet pjesa e parë në barazim pa gola. Një ndeshje e barabartë, me të dy skuadrat që u kujdesën më shumë për fazën mbrojtëse dhe bënë shumë pak për të shkuar te goli.

 

45’+3 – Çekiçi fiton një goditje dënimi nga një pozicion mjaft i mirë dhe gjuan po vetë, por topi devijohet në murin mbrojtës dhe përfundon në këndore.

 

45’+1 – Çekiçi bën një ndërhyrje të rrezikshme dhe bëhet i pari i ndëshkuar, duke humbur kështu edhe ndeshjen e ardhshme ndaj Polonisë në Tiranë.

 

43′ – Bare rikuperon një top pranë vijës së mesit të fushës dhe shërben menjëherë për Uzunin, që galopon rreth 50 metra i vetëm me portierin, por nuk arrin të shënojë. Gjithsesi asnjë keqardhje, pasi sulmuesi beratas ishte në pozicion jashtë loje, ndaj edhe po të shënonte, goli nuk do të vlente.

41′ – Kuqezinjtë rikuperojnë një top të bukur pranë zonës kundërshtare dhe shërbejnë për Ismajlin, që ka gjithë hapësirën, por gjuan dobët dhe nuk vë në vështirësi kundërshtarin.

 

28′ – Nuk ia del Gjimshiti, që del nga fusha me ndihmën e barelës, ndërsa në vendin e tij zbret në fushë Federik Veseli.

 

26′ – Moment fatkeq për kuqezinjtë. Berisha del nga porta për të zotëruar një top, por përplaset me Ismajline Gjimshitin dhe duhet ndërhyrja e mjekëve për t’u dhënë ndihmën e parë.

20′ – Tjetër zbritje e rrezikshme e vendasve, që përfitojnë nga një vendosje e gabuar e mbrojtjes kuqezi dhe shërbejnë për Salloi, por Ismajli bën një ndërhyrje vendimtare, duke na larguar rrezikun në momentin e fundit.

15′ – Dalje e rrezikshme e hungarezëve me Nego, që kthen topin në qendër, por aty është Kumbulla i vëmendshëm dhe largon rrezikun.

10′ – Bare rikuperon mjaft bukur një top në gjysmëfushën hungareze dhe niset në një kundërsulm të rrezikshëm 3 kundër 3, por tregohet egoist dhe injoron Cikalleshin, i cili ishte në pozicion goli. Shpërdorojmë një rast mjaft të mirë shënimi.

6′ – Hysaj vertikalizon për Cikalleshin, por mbyll një mbrojtës hungarez, para se topi të zotërohet nga portieri Gulacsi.

– Starton sfida në “Puscas Arena” me kuqezinjtë që luajnë topin e parë

Formacionet zyrtare:
Trajneri Edi Reja u jep fund dilemave, duke zgjidhur Endri Çekiçin në mesfushë, bashkë me Gjasulën e Baren, ndërsa dërgimin e topit në rrjetë ia ka besuar dyshes Cikalleshi-Uzuni.

Hungaria: Gulacsi; Botka, Orban, At. Szalai; Nagy, Schafer, A. Nagy, Nego; Sallai, Szoboszlai, Salloi

– Shqipëria luan me fanellën e tretë ndaj Hungarisë, teksa në dhomat e zhveshjes duket gjithçka gati…

 

– Stadiumi i mbyllur vetëm për vendasit…

– Kuqezinjtë janë përballur 7 herë në histori me maxharët dhe kanë një bilanc negativ prej 5 humbjesh, një barazimi dhe vetëm një fitoreje, ndërsa golavarazhi është 19-1 në favor të Hungarisë

– Fitorja e vetme e Shqipërisë ndaj Hungarisë është regjistruar një muaj më parë, pikërisht më 5 shtator, ku Armando Broja shënoi golin e vetëm kuqezi në portën maxhare dhe njëkohësisht vulosi suksesin e parë ndaj tyre.

– Shqipëria vjen në këtë ndeshje si vendi i dytë i grupit I, pasi ka grumbulluar 12 pikë në 6 ndeshjet e para, ndërsa Hungaria numëron vetëm 10 pikë dhe pozicionohet në vendin e katërt.

– Trajneri Edi Reja do të duhet të bëjë pa shërbimet e Amir Abrashit dhe Qazim Laçit, të cilët nuk janë grumbulluar për shkak dëmtimi, ndërsa edhe Bekim Balaj ka shfaqur probleme fizike, ndaj pritet ta shohë ndeshjen nga tribuna.

– Edhe te vendasit ka mungesa, e më e rëndësishmja është ajo e kapitenit dhe sulmuesit kryesor, Adam Szalai, i cili mungoi edhe në Tiranë, ndërsa plot 6 futbollistë maxharë (4 prej të cilëve mbrojtës) rrezikojnë të humbin ndeshjen me Anglinë, nëse ndëshkohen me karton të verdhë sonte.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA