Nis protesta para kryeministrisë, aktori Binaj: Boll me eksperimente! Jemi mbi 1000 veta, do vijnë dhe të tjerë

06/10/2021 17:29

Mbi 1000 qytetarë janë mbledhur tek kryeministria për të protestuar kundër rritjes së çmimeve. “#Uria pa TVSH #Drita pa Qiri #Karburanti pa luks”, janë pankartat më të shumta që mbahen në duart e protestuesve.

Avokati Adriatik Lapaj ka folur në lidhje live për “Ftesë në 5” duke thënë se nuk mund të ketë heshtje përballë padrejtësive dhe të gjithë duhet të ngrihen për të drejtat e tyre. Të pranishëm në protestë ka edhe emra të njohur të ekranit, mes të cilëve edhe aktori i humorit Flor Binaj. Ai tha se është për të ngritur zërin për të gjithë pasi rritja e çmimeve ndikon tek të gjithë.

Ndër të tjera, zbuloi se ka marrë mesazhe nga banorë në shumë vende të Shqipërisë që kanë thënë se do të shkojnë në protestë, ndaj pritet që numri i protestuesve pranë kryeministrisë të rritet,

Adriatik Lapaj: Unë mendoj që ka nevojë që të gjithë të solidarizohen dhe të gjithë të mos mbyllin sytë nga pamundësia për t’i larguar bukën e gojës. Rritja e çmimeve çon drejtpërdrejt në rritjen e problemeve të qytetarëve.

Ka të sëmurë, njerëz që bëjnë dializë lart e poshtë…Bëj 40 mijë km në vit për shkak të punës, shpenzoj mijëra litra në ditë. Edhe të mos e ndjeja, prap do të dilja. Pjesëmarrja ka filluar të rritet, duket e konsiderueshme. Kjo është qytetar pa kryetar, është për xhepin e cdo qytetari. Nëse duan të jetojnë me dinjitet e të mos lejojë të nëpërkëmbet, të protestojë në mënyrën e vet. Partitë duhet të jenë në funksion të qytetarëve. Nuk mund të heshtim përballë padrejtësive vetëm kur kazmat e eskavatorëve të na vijnë tek dera e shtëpisë.

Flor Binaj: Ka ardhur një pikë që nuk pyet askënd për askënd. E gjithë shtresa e politikanëve nuk bën llogari se sa mund të ndikojë. Në fund të ditës, nuk janë ata që paguajnë. Pra bën eksperimente dhe arsyeja është pse ka kaq shumë vendime të gabuara, është se nuk i prek ata. Jemi ne të gjithë qytetarëve, shtresa e mesme dhe shtresa më e varfër, jemi për ta ngritur zërin për të gjithë. Ka qindra banorë që nuk e ngrenë zërin për asgjë, të gjithë e shohin sa e vështirë po bëhet. Nafta nuk është luks, është për të çuar përpara jetën. Një familje që merr 40 mije lekë të vjetra në muaj, 10 mijë lekë i ka vetëm taksa. Një i burgosur paguhet 50 euro në ditë, kjo është padrejtësi. Nëse jemi rreth 1000 e ca veta, më kanë shkruar në Instagram se po vijnë nga shumë qytete për të protestuar.

FOTO GALERI
2/10

Top Channel