Tirana vetëm barazim/ Barazim edhe Dinamo-Teuta. Nesër përballen Partizani dhe Vllaznia

25/09/2021 20:46

Janë zhvilluar dy takimet e para të javës së 3-të të kampionatit Abissnet Superiore, ndërkohë që të dilën do të luhet një dhe të hënën, do të zhvillohen edhe dy takimet përmbyllëse të kësaj jave.

Në stadiumin e Kamzës, bardheblutë e Tiranës nuk shkuan më tepër se një barazim 1-1 ndaj Kastriotit, në rolin e mikpritësit. Madje ishin krutanët ata, të cilët kaluan në epërsi.

Pas një prekje të topit me dorë nga Hoxhallari, në minutën e 40-të u akordua penallti në favor të Kastriotit. Karakaçi godet dy herë për të shënuar, pasi Bekaj e priti gjuajtjen e parë. Me rezultatin 1-0 për Kastriotin, mbyllet pjesa e pare.
Nuk do të vononte shumë, dhe vetëm pas 4 minutash nga fillimi i pjesës së dytë, sulmuesi i bardhebluve, Seferi devijoi me kokë një top të ardhur nga këndi dhe barazoi në 1-1.

Ky rezultat 1-1 nuk do të ndryshonte deri në fund të takimit, pavarësisht nga përpjekjet e të dyja skuadrave. Kastrioti merr pikën e parë, ndërsa Tirana regjistron një tjetër hap fals pas barazimit një javë më pare nga Egnatia debutuese.

Ndërkohë në ndeshjen e zhvilluar në stadiumin e Egnatias në Rrrogozhinë, kampionët në fuqi të Teutës dhe bluve të Dinamos, nënshkruan një barazim pa gola, në një sfidë që ishte edhe një test “force”.

Të dielën në “Elbasan Arena”, në orën 19:45, Partizani do të përballet me Vllaznisë, ndërsa të hënën, në orën 13:45, Egnatia do të presë Skënderbeun, kurse kurbinasit e Laçit do të ndeshen me Kukësin në stadiumin e Kamzës, për të mbyllur takimet e javës së 3-të të kampionatit të 83-të të Superiores.

FOTO GALERI
14/17

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA