Pas një vere të komplikuar, më në fund futbollistët e Bayernit të Mynihut duket se kanë përthithur në mënyrë perfekte idetë e trajnerit Julian Nagelsmann, aq sa tani janë shndërruar në një skuadër të frikshme, që mbrohet mirë dhe shënon me një lehtësi për t’u admiruar.
Tekniku i talentuar gjerman shquhet për idetë e tij inovatore në botën e futbollit dhe ka bërë mirë edhe me skuadra shumë më të vogla në të kaluarën e tij, ndërsa së fundi ajo që ka tërhequr vëmendjen është puna e Nagelsmann me rivëniet anësore.
Përveç skemave në shumë situata të lojës, trajneri po i kushton vëmendje të veçantë edhe mënyrës se si duhet të kryhet rivënia anësore, për të krijuar situata sa më të favorshme shënimi, ndërsa në një intervistë zbuloi edhe arsyet pse u jep prioritet.
“Kur fiton një rivënie anësore, zakonisht je i pa-favorizuar, pasi ke një lojtar më pak në fushë dhe kur rivënia është në gjysmëfushën tënde, atëherë kundërshtari ngrihet e të bën presion lart, për të rikuperuar dhe provuar të të ndëshkojë. Në Gjermani ka shumë trajnerë që porositin lojtarët e tyre të nxjerrin topin në rivënie anësore në momente të vështira në sulm, pasi duan të shfrytëzojnë këtë epërsi.
Megjithatë në situata të tilla, kundërshtari ngrihet shumë lart dhe lë shumë hapësira në gjysmëfushën e tij, ndaj nëse përdor një skemë të studiuar mirë gjatë rivënies, mund të kalosh nga një moment i vështirë, në një rast të mirë shënimi”, deklaroi Nagelsmann.
Top Channel