Trajneri i Paris Saint-Germain, Luis Enrique, e konsideron përballjen me Manchester City një sfidë të rëndësishme, në të cilën kampionët e Evropës duan të tregojnë vlerat e tyre dhe të rikthehen te rezultatet pozitive.

Në konferencën për shtyp në prag të ndeshjes, tekniku spanjoll theksoi se skuadra e tij është e motivuar, pavarësisht se rezultatet e deritanishme nuk kanë qenë në nivelin e pritshmërive.

“Është pozitive për një trajner që t’i ketë të gjithë lojtarët në dispozicion. Kjo ndeshje vjen në momentin e duhur, ndaj do të shohim se çfarë lloj paraqitjeje do të jemi në gjendje të bëjmë nesër. Të luash këtu është një sfidë”, u shpreh Luis Enrique, duke vlerësuar vështirësinë e transfertës ndaj një prej skuadrave më të mira në Evropë. Trajneri i PSG-së pranoi se skuadra e tij e ka nisur sezonin në mënyrë të shkëlqyer, por rezultatet nuk kanë qenë gjithmonë në përputhje me atë që ka treguar në fushë.

“E kemi nisur sezonin në mënyrë fantastike, por nuk kemi marrë rezultatet që meritojmë. Në kampionat ndodhemi në një situatë ndryshe nga ajo me të cilën jemi mësuar, por nuk jam i shqetësuar. Do të përballemi në transfertë me një nga skuadrat më të mira të Evropës. Jemi të motivuar për të treguar vlerat tona dhe për të dëshmuar se dimë t’i kapërcejmë vështirësitë”, deklaroi ai.

Luis Enrique: Donnarumma është një nga portierët më të mirë në botë

Një pjesë e konferencës iu kushtua edhe Gianluigi Donnarummës, portierit që Luis Enrique e njeh mirë dhe që tashmë është pjesë e Manchester City-t. Trajneri spanjoll vlerësoi cilësitë e italianit, duke pranuar se mposhtja e tij do të jetë një detyrë e vështirë për sulmuesit e PSG-së.

“E njohim shumë mirë, ndaj e dimë se do të jetë shumë e vështirë t’i shënojmë gol, pasi është një nga portierët më të mirë në botë. Kam pasur fatin ta njoh edhe si person. Jam shumë i lumtur që do ta takoj sërish dhe që do ta përqafoj”, tha Luis Enrique.

Dembélé: Duam tri pikët, Doué ka një të ardhme të madhe

Në konferencë ishte i pranishëm edhe sulmuesi Ousmane Dembélé, i cili e vlerësoi Manchester City-n si një kundërshtar të nivelit të lartë, por theksoi se objektivi i PSG-së është fitorja. “Është një ndeshje e rëndësishme kundër një skuadre të nivelit të lartë, me lojtarë shumë të fortë. Nuk do të jetë e lehtë, por do të përgatitemi sa më mirë për të marrë tri pikët”, u shpreh sulmuesi francez.

Dembélé foli gjithashtu me superlativa për Désiré Doué, të cilin e konsideron një prej talenteve më të mëdha të futbollit botëror. “Doué është një nga lojtarët më të talentuar në botë. I njohim aftësitë e tij para portës dhe cilësinë në driblim. Është një lojtar i jashtëzakonshëm dhe e pret një karrierë e madhe, edhe pse ka shënuar tashmë në një finale të Champions League”, përfundoi Dembélé.

Përballja mes Manchester City-t dhe Paris Saint-Germain premton spektakël, me të dyja skuadrat që synojnë pikë të rëndësishme në Champions League. Manchester City – PSG transmetohet falas dhe ekskluzivisht në Top Channel, duke u sjellë tifozëve shqiptarë një nga supersfidat më të rëndësishme të mbrëmjes në kompeticionin më prestigjioz evropian për klube.

Top Channel