Foto/ Përkeqësohen gjërat për Vinicius edhe jashtë fushe, ylli i Realit ndahet nga influencerja braziliane

13/10/2026 08:53

Futbollisti i Real Madridit dhe influencuesja braziliane nuk janë më bashkë.

Ndarja u konfirmua nga zyra e shtypit e Virginia Fonsecas, e cila theksoi se vendimi u mor në mënyrë paqësore, pa debate apo konflikte.

Vinicius Junior dhe Virginia Fonseca i kanë dhënë fund lidhjes së tyre, pas një marrëdhënieje të shoqëruar me ndarje dhe pajtime.

“Virginia Fonseca dhe Vini Jr. nuk janë më bashkë. Nuk ka pasur konflikt, nuk ka pasur grindje, por thjesht një mirëkuptim për të mos vazhduar më si çift”, thuhet në deklaratën e përfaqësuesve të saj.

Thashethemet për ndarjen nisën të qarkullonin gjatë fundjavës, pasi Virginia udhëtoi nga Madridi drejt Majamit, në Shtetet e Bashkuara, së bashku me tre fëmijët e saj, Maria Alice, Maria Flor dhe José Leonardo.

Megjithatë, përfaqësuesit e saj kishin sqaruar më herët se udhëtimi ishte planifikuar për t’u mundësuar fëmijëve të kalonin kohë me babanë e tyre, këngëtarin Zé Felipe.

Historia e dashurisë mes yllit brazilian të Real Madridit dhe sipërmarrëses e influencueses nisi në vitin 2025 dhe u bë shpejt një nga marrëdhëniet më të komentuara në mediat rozë braziliane.

Çifti përjetoi një krizë të parë në maj të vitit 2026, kur marrëdhënia e tyre mori fund përkohësisht. Pas disa javësh larg njëri-tjetrit, ata u pajtuan në korrik dhe nisën të shfaqeshin sërish së bashku në publik dhe në rrjetet sociale.

Në shtator, ata tërhoqën vëmendjen gjatë Çmimit të Madh të Formula 1 në Madrid, ku u shfaqën me unaza në duar. Kjo nxiti spekulimet për një angazhim më serioz në marrëdhënien e tyre, por vetëm pak javë më vonë erdhi konfirmimi i ndarjes së dytë.

Edhe pse në rrjetet sociale qarkulluan pretendime për një debat të mundshëm mes tyre në Madrid, përfaqësuesit e Virginia Fonsecas mohuan se ndarja kishte ardhur pas një konflikti. Deri tani, as futbollisti dhe as influencuesja nuk kanë dhënë një deklaratë të drejtpërdrejtë publike për arsyet e vendimit.

Pas udhëtimit drejt Majamit, Virginia publikoi edhe mesazhe në rrjetet sociale, ndërsa mediat braziliane raportuan për reagime dhe spekulime të shumta mes ndjekësve të çiftit.

Top Channel