Kontrolle intensive nga Policia Rrugore, me radarë, dronë, mjete të paloguara, kamera, aparate fotografike e alkooltestues, me qëllim parandalimin e aksidenteve rrugore.
Si rezultat i kontrolleve, edhe gjatë 24 orëve të fundit, në të gjitha rrugët e vendit janë konstatuar shumë drejtues mjetesh që abuzonin me shpejtësinë, me alkoolin apo me përdorimin e celularit në timon, me mospërdorimin e rripit të sigurimit dhe më keq akoma me drejtimin e automjetit, pa leje drejtimi.
Gjatë 24 orëve të fundit janë arrestuar 14 drejtues mjetesh dhe motomjetesh, nga të cilët 7 për drejtim mjeti pa leje drejtimi dhe 7 për drejtim mjeti në gjendje të dehur.
👉Janë pezulluar 42 leje drejtimi, nga të cilat 24 për shpejtësi mbi normat e lejuara (deri në 178 km/orë në autostradën Levan-Vlorë), 16 për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit dhe 2 për qarkullim në sens të kundërt.
👉Janë ndëshkuar me masë administrative, në të gjithë vendin, 1311 drejtues mjetesh, për shkelje që sjellin pasoja në jetën dhe shëndetin e përdoruesve të rrugës.
👉Gjithashtu është evidentuar nga Policia e Kukësit dhe më pas është shoqëruar në Polici, shtetasi B. M., nga Hasi, i cili kishte publikuar në rrjetet sociale, foto me automjetin e tij të ndaluar në brendësi të tunelit të Kalimashit, duke rrezikuar përfshirjen në ngjarje rrugore. Ky shtetas është ndëshkuar nga Njësia Për Sigurinë e Autostradës Milot Morinë, me masë administrative 8.000 lekë të rinj.
Policia e Shtetit apelon për të gjithë drejtuesit e automjeteve dhe motomjeteve: Mos shpejtoni, mos kryeni parakalime të gabuara, mos drejtoni mjetin nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur, mos përdorni celularin në timon, vendosni rripin e sigurimit dhe kaskën mbrojtëse, mbroni jetën tuaj dhe të përdoruesve të tjerë të rrugës, respektoni rregullat e qarkullimit që të arrini të sigurt në destinacion.
Mos abuzoni me rregullat e qarkullimit rrugor dhe më pas i publikoni në rrjetet sociale, pasi do përballeni me sanksionet që parashikon Kodi Rrugor.
Në të gjitha akset nacionale nga Rruga e Kombit deri në Sarandë, nga Korça në Berat, si dhe në qendrat kryesore urbane, ka patrulla të Policisë Rrugore me radarë, alkooltestues, dronë, kamera e aparate fotografike.
Policia e Shtetit fton qytetarët që të denoncojnë në numrin 112 dhe në Komisariatin Dixhital, çdo shkelje të Kodit Rrugor, duke iu garantuar anonimat të plotë dhe një reagim të shpejtë dhe profesional.
Top Channel