“Tërheqja e ambasadorëve, maja e ajsbergut”/ Paralajmërohet përplasje Francë-SHBA

19/09/2021 14:46

Franca shkaktoi tërmet më herët me njoftimin se kishte thirrur për konsultime ambasadorët e saj në Shtetet e Bashkuara dhe Australi, si shenjë proteste ndaj marrëveshjes për sigurinë mes këtyre vendeve që përfshiu dhe Mbretërinë e Bashkuar.

Ministri i Jashtëm francez, Jean-Yves Le Drian, tha se ky vendim “ i jashtëzakonshëm” u mor për shkak të “rëndesës së madhe te situates”. Aleanca, e njohur si Aukus, do t’i mundësojë Australisë që të ndërtojë nëndetëse me kapacitet bërthamor përmes teknologjisë amerikane. Kjo lëvizje zemëroi Francën, e cila kishte nënshkruar një marrëveshje disa miliarda dollarëshe me Australinë për nëndetëse konvencionale. Analistët thonë se tërheqja e ambasadorëve është vetëm maja e ajsbergut, dhe se gjërat mes Washingtonit e Parisit, do të acarohen edhe më tej.

Ka një ndjesi të thellë tradhëtie në Francë, sepse kjo nuk ishte thjesht një kontratë armësh; kjo ishte një përpjekje e Parisit zyrtar për të ndërtuar një partneritet strategjik me Australinë. Por pas shpinës së tij, u diskutua një ujdi me dy aleatë të Francës në NATO, SHBA dhe Britaninë për ta zëvendësuar me një kontratë krejt tjetër”, tha për BBC Peter Ricketts, ish ambasador britanik në Francë.

Mendoj se firmëtarët e marrëveshjes e nënvlerësuan impaktin që ky veprim do të kishte mbi francezët. Ky duket si poshtërim dhe tradhëti aq më tepër në vitin kur presidenti Macron përballet me zgjedhje dhe gara deri tani duket shumë e ashpër”, shton Ricketts. Urdhri historik për të tërhequr ambasadorët erdhi në fakt nga vetë shefi i Elizesë, i cili mund edhe të mos ndalet me kaq.

Top Channel