Kosova është në një pikë të raporteve të shkëlqyera dhe të avancuara me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, deklaroi presidentja e saj Vjosa Osmani në një intervistë për DW.
Kjo tha Osmani, rikonfirmohet çdo ditë nga kontaktet që i kemi me zyrtarët më të lartë amerikanë. Para disa ditësh unë kisha një telefonatë me zëvendës-presidenten amerikane, zonjën Kamala Harris. Kryeministri Kurti kishte telefonatë me sekretarin e shtetit, zotin Blinken. Ne, që nga zgjedhja jonë, kemi pasur vazhdimisht edhe shkëmbim letrash me presidentin Biden, edhe kontakte gati ditore me zyrtarë të lartë të Departamentit të Shtetit, të National Security Council edhe të tjerë.
Kjo dëshmon sipas saj jo vetëm vlerësimin e lartë që e kanë ata, që Kosova po luan rol të rëndësishëm, jo vetëm në raportet bilaterale, por edhe për problemet globale, siç ishte gatishmëria për të marrë refugjatë afganë si dhe me rolin që po e luajnë në rajon dhe gjetiu. Ndërkohë, osmani u shpreh se pret që Gjermania të luajë rol lideri në Bashkimin Europian për të shtyrë përpara vendet tona drejt anëtarësimit në BE. “Por gjithnjë bazuar në kriteret që i plotësojmë. Sepse një vend autokratik ta zëmë si Serbia nuk e ka vendin në BE. Ata duhet të ndryshojnë shumë, nga pranimi i krimeve dhe drejtësia, e deri te reformat e tyre të brendshme në sundimin e ligjit, liria e mediave dhe e shoqërisë civile e të tjera, në mënyrë që të pranoheshin atje.
Pra, nuk duhet të jetë një logjikë, ku t’i fusim të gjithë, pavarësisht, se a kanë plotësuar kritere a jo”, ishte pohimi i saj. Osmani tha se është me rëndësi që të hyjnë në të njëjtën kohë, e pse jo , e jo të lejohet Serbia të aderojë e pastaj të bllokojë shtetet e tjera megjithatë, gjithnjë duke u bazuar në plotësimin e kritereve, sidomos ato që kanë të bëjnë me sundimin e ligjit dhe me demokracinë.
Top Channel