Zjarret që pushtuan vendin në muajin gusht, treguan edhe njëherë sesa në vështirësi është shërbimi zjarrfikës në Shqipëri.
Me mjete të vjetra e të pakta në numër , zjarrfikësit u munduan të fiknin vatrat e shumta të zjarreve, por që fatkeqësisht morën jetën e dy personave në fshatin ‘Asim Zenel’.
Fiks Fare pa se në Gjirokastër mjetet e shërbimit zjarrfikës datonin me vit prodhimi 1967 dhe në gjithë Gjirokastrën janë vetëm katër të tilla. Po a mjaftojnë këto mjete për të përballuar zjarret?
A mund të ishte shmangur humbja e jetës së njerëzve nëse do të kishte më shumë mjete?
Fiks Fare mësoi nga banorët, se askush nuk u kishte bërë thirrje për evakuim dhe se shërbimi zjarrfikës ishte vonuar të shkonte në fshat. Ata pohuan, se për shuarjen e zjarrit, përveç forcave të ushtrisë iu bashkuan edhe policia ku me mjete rrethanore: degë pemësh, kazma e lopata u përballën me flakët.
Flakë, që fatkeqësisht morën jetën e dy njerëzve. Pas ngjarjes tragjike Bashkia Gjirokastër shkarkoi nga detyra drejtorin e shërbimit zjarrfikës.
Fiks Fare intervistoi komandantin e stacionit zjarrfikës, Hodo Çani, i cili shpjegoi se si ndodhi ngjarja e 3 gushtit në ‘Asim Zenel’. Ai pohon se në Gjirokastër kishte disa vatra aktive dhe në luftë me flakët ishin edhe disa fshatra të tjerë, ndaj si rrjedhojë zjarrfikëset nuk mundën të shkojnë në kohë në ‘Asim Zenel’. Pasi kishin boshatisur ujin në vatrat e tjera, mjetet ishin kthyer për t’u mbushur në stacion në Gjirokastër, e më pas ishin nisur për në ‘Asim Zenel’.
Me lot në sy ai tregon se u përpoqën shumë për ta shuar zjarrin në kohë rekord me mundësitë që kishin.
Fiks Fare pyeti edhe ish drejtorin e shërbimit zjarrfikës, i cili u shkarkua menjëherë pas ngjarjes. Pyetjes se përse nuk u dha alarm për evakuimin e banorëve, ish drejtori Pëllumb Shalari pohoi se zjarrfikëset ishin në një tjetër fshat. ” Zjarrfikëset ishin në tjetër fshat, u rikthyen për t’u mbushur me ujë në stacion dhe më pas u nisën direkt për në ‘Asim Zenel. Pra shkuan nga një fshat në tjetrin’ pohon z. Shalari. Ish drejtori shprehet se bashkë me punonjësit e tjerë të këtij shërbimi bënë maksimumin e mundshëm, edhe pse pas kësaj ngjarjeje ai u shkarkua nga kryetari i Bashkisë Gjirokastër.
Nëse ky shërbim do të kishte mjete më bashkëkohore,një numër më të madh makinerish në dispozicion dhe punonjësit më mirë të paisur, mund të ishte shmangur humbja e jetës së njerëzve.
Top Channel