Sulmet e 11 shtatorit/ SHBA nis deklasifikimin e dokumenteve

12/09/2021 11:27

FBI ka deklasifikuar një dokument që flet për lidhje midis qytetarëve sauditë në SHBA dhe dy prej sulmuesve të 11 shtatorit.

Të afërmit e viktimave kanë kërkuar prej kohësh publikimin e dosjeve, duke argumentuar se zyrtarët sauditë kishin njohuri paraprake, por nuk u përpoqën të ndalonin sulmet.

E megjithatë dokumenti nuk dëshmon se qeveria saudite ishte e lidhur me komplotin e 11 shtatorit.

Pesëmbëdhjetë nga 19 rrëmbyesit e avionëve ishin shtetas sauditë.

Përpara deklasifikimit, ambasada saudite në Uashington përshëndeti veprimin dhe mohoi edhe një herë çdo lidhje midis tyre dhe rrëmbyesve, duke i përshkruar pretendimet e tilla si “të rreme dhe dashakeqe”.

Dokumenti u deklasifikua në 20 vjetorin e sulmeve më vdekjeprurëse terroriste në tokën amerikane – gati 3,000 njerëz u vranë pasi u rrëmbyen katër avionë .

Dokumenti i FBI-së me 16 faqe është redaktuar shumë. Ai bazohet në intervistat me vetëm një burim, identiteti i të cilit është  i fshehur dhe përshkruan kontaktet midis një numri shtetasish sauditë dhe dy prej rrëmbyesve, Naëaf al-Hazmi dhe Khalid al-Midhar.

Rrëmbyesit u paraqitën si studentë për të hyrë në SHBA në vitin 2000. Dokumenti i FBI thotë se ata më pas morën mbështetje logjistike të konsiderueshme nga Omar al-Bayoumi, për të cilin  dëshmitarët thanë se ishte një vizitor i shpeshtë i Konsullatës Saudite në Los Angeles, pavarësisht statusit të tij në atë kohë si një student.

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA