Situata e zjarreve/ Rama: Të modernizojmë mbrojtjen civile! Për herë të parë, vendet pranë Shqipërisë nuk na ndihmonin dot

03/09/2021 11:55

Kryeministri Edi Rama ka folur në Bazën Ajrore në Farkë për situatën e zjarreve që përfshinë vendin tonë gjatë muajit gusht duke i shprehur ngushëllimet djemve të çiftit që humbën jetën në betejën me flakët.

Rama shprehu mirënjohje për të gjithë forcat që punuar fort për shuarjen e zjarreve duke thënë se me një situatë të vështirë u përballën edhe vende shumë pranë Shqipërisë.

Kryeministri përmendi Italinë, Turqinë e Greqinë që po përballeshin me flakët dhe e kishin të pamundur t’i gjendeshin në ndihmë vendit tonë, madje kishin nevojë për ndihmë.

Ndër të tjera tha se  ajo që kemi parë deri tani është rezultat i reformës së të gjithë sistemit të emergjencave civile ndaj modernizimi i mbrojtjes civile duhet të shkojë përpara.

“Së pari dua t’i shpreh ngushëllimet publikisht të dy djemve që humbën prindërit në tragjedinë e tyre familjare për shkak të zjarrit dhe po ashtu dua t’i shpreh të gjithë mirënjohjen, respektin e vlerësimin e mundshëm të gjithë atyre që u angazhuan në një muaj zjarri sepse i tillë ishte muaji gusht dhe manifestuan një ndjenjë të lartë sakrifice dhe përkushtimi.

Këtu kam parasysh pa përjashtim të gjitha forcat e angazhuara në terrenet jashtëzakonisht të vështira, forcat e armatosura, forcat zjarrfikëse, forcat policore, bashkiake, ato vullnetare, forcat e AZM, forcat e Shërbimit Pyjor si dhe ata që mbështetën të gjithë këtë përpjekje me ambulancat e urgjencës kombëtare. Ajo që mbetet sot është nga njëra anë fuqia e jashtëzakonshme e shembullit të të gjithëve dhe nga ana tjetër, nevoja për të çuar përpara një proces modernizimi të mbrojtjes civile, i cili ka nisur dhe ka dhënë rezultatet e veta të para të prekshme dhe të qarta, por duhet vazhduar deri në fund.

Ministri preku disa aspekte, nuk do të ndalem me shtjellimin e tyre por dua të them me bindje se çfarë kemi parë deri tani si rezultat i reformës së të gjithë sistemit të emergjencave civile është shumë inkuarajuerse për të parë me optimizëm rezultatin përfundimtar të këtij procesi.

Ishte një muaj zjarri që përfshiu botën dhe për tu afruar këtu tek ne, realisht vuri në një pozitë të vështirë vende të afërta të cilat janë mësuar me sfidën e zjarreve të përvitshme dhe për herë të parë nuk kishin asnjë mundësi të na jepnin asnjë ndihmë dhe jo vetëm kaq, por kishin nevojë për ndihmë.

Këtu kam parasysh Italinë, Turqinë e Greqinë, tre vende me struktura nga më të jashtëzakonshme të mbrojtjes civile, me eksperiencë të madhe dhe me shumë plagë nga zjarret, i janë vënë gjithmonë në ndihmë Shqipërisë, por këtë herë e kishin të pamundur dhe më e rënda është se kishin vetë nevojë për ndihmë. Kjo është një nga shembujt më kuptimplotë të rëndësisë që ka vendi ynë me BE dhe të rëndësisë që ka BE për jetën tonë jo thjesht në aspektet e standardeve, fuqizimit demokratik dhe institucional, por edhe në aspekte jetësore që prekin drejtpërdrejt jetën dhe kërcënojnë fizikisht tërmetet, përmbytjet, zjarret. Kjo nuk do të thotë që Shqipëria përbën përjashtim”, tha Rama.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA