Presidenti Ilir Meta edhe njëherë tjetër i është rikthyer shqetësimit që e ka quajtur si shpopullimi Shqipërisë.
Këtë e ka ilustruar me të dhënat më të fundit të EUROSTAT, ku arrihet në përfundimin se mbi 60.000 fëmijë janë larguar nga Shqipëria dhe kanë kërkuar azil për herë të parë në një vend të BE-së gjatë 10 viteve të fundit (2011-2020).
Sipas Eurostat mbi 82 përqind e tyre janë nën moshën 14 vjeç.
Për këto statistika te Eurostat, kreu i shtetit thotë se është “Thellësisht i shqetësuar për këtë largim masiv të fëmijëve nga Shqipëria, veçanërisht për faktin se destinacioni i tyre final është i paqartë”.
Presidenti thekson se e mbështet kërkesën e CRCA/ECPAT dhe inkurajon ngritjen e një Komisioni Hetimor Parlamentar, me hapjen e Kuvendit të ri, për të hetuar gjendjen dhe vendndodhjen e tyre, analizuar arsyet dhe përgjegjësit si dhe rekomanduar masat efikase me qëllim ndërtimin e një strategjie konkrete shtetërore për ndalimin e këtij fenomeni të rrezikshëm.
Presidenti Ilir Meta thotë se “duhet të bëjmë gjithçka për fëmijët dhe të rinjtë shqiptarë, për të mbrojtur jetën dhe shëndetin e tyre, duke rikthyer besimin dhe garantuar mundësi dhe hapësira të reja, për t’u ndjerë plotësisht të realizuar, për të ndërtuar të ardhmen e tyre të sigurt europiane në atdhe”.
Top Channel