Mitsotakis bën ndryshime në kabinetin qeveritar, ish-ministri refuzon postin

31/08/2021 15:50

Pa shumë ndryshime të mëdha, por me emra surprizë ministrash, kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis ka riformatuar kabinetin e tij qeveritar në një periudhë kur kritikat nga ana e partive opozitare për menaxhimin e pandemisë, por edhe të përballimit të zjarreve masive, janë shtuar gjithnjë e më shumë.

Midis 11 ndryshimeve kryesore në qeverinë e tij, bie në sy largimi i ministrit të Mbrojtjes së Qytetarit, Mihalis Chrisohoidhis, i shumëpërfolur edhe nga vetë konservatorët pasi vinte nga radhët e Pasokut dhe zëvëndesimi i tij me një prej ish-ministrave të kabinetit të parë Mitsotakis.

Po ashtu kryeministri grek ka krijuar ministrinë e re të Mbrojtjes Civile në të cilën do të jetë edhe Shërbimi Zjarrfikës duke sjellë në krye të saj një prej personaliteteve ndërpartiake më të njohura të viteve të fundit, z. Evangjelos Apostolakis , i cili ka qenë në krye të Flotës Luftarake në 2013, të Forcave të Armatosura Ushatarake dhe ish-ministër i Mbrojtjes, nën qeverinë Tsipras.

Por vetëm disa minuta pas deklaratave të zëdhënësit të qeverisë, ministri në fjalë ka deklaruar se nuk do të pranojë postin duke akuzuar kryeministrin Mitsotakis se e kishte gënjyer duke i thënë se për emërimin e tij ekzistonte konsensus me partinë opozitare Syriza, ndaj dhe pritet tashmë një emër i ri për këtë post.

Bie ne sy edhe largimi i ministrit të Shëndetësisë për të marrë postin e ministrit të Turizmit, si dhe emërimi në postin e vështirë që do të menaxhojë pandeminë, të Thanasis Plevris, një emër i diskutuar nga opozita për pikëpamjet e tij shpesh radikale, pasi vjen nga krahu i djathtë ekstrem i partisë në pushtet.

Riformatimi i qeverisë Mitsotakis vjen në një periudhe kur popullariteti i saj në sondazhet e fundit shënon gjithnjë e më shumë zvogëlimin e distancës që ndan partinë në pushtet me partinë më të madhe opozitare Syriza, pasi diferenca midis tyre tashme është më e vogël se para zgjedhjeve të vitit 2019, për shkak të pakënaqësisë së grekëve ndaj përballimit të pandemisë, por edhe të zjarreve në muajin e fundit, që shkaktuan katastrofën më të madhe natyrore në vend.

Top Channel