Greqia në alarm për infektimet/ Qeveria e palëkundur për vaksinimin e detyrueshëm në sektorin e shëndetësisë

31/08/2021 00:59

Qeveria dhe specialistët e shëndetit në Greqi ndodhen në alarm të kuq pasi me mbarimin e sezonit të verës dhe kthimin e banorëve në qytetet e mëdha, do të ketë edhe rritje të rasteve të infektimeve që ka kohë, me përjashtim të 24 orëve të fundit, që janë mbi 3000 në ditë, për shkak të agresivitetit të variantit Delta të koronavirusit.

Ndërsa janë publikuar të dhënat për të intubuarit, vihet re se 90% e 338 personave që trajtohen orët e fundit në repartet e terapisë intensive, nuk janë të vaksinuar, ndaj bëhet thirrje për vaksinimin si mundësia e vetme për të luftuar pandeminë.

Pavarësisht protestave të punonjësve të sektorit të shëndetësisë zëdhënësi i kabinetit ka përsëritur se qeveria është e palëkundshme sa i përket vendimit për vaksinimin e detyrueshëm të personelit spitalor.

“Pasnesër të mërkurën në 1 shtator, përfundon afati për vaksinimin e punonjësve të shëndetësisë në strukturat publike dhe private. Ligji që parashikon pezullimin e përkohshëm nga puna për ata që nuk kanë bërë të paktën një dozë do të zbatohet plotësisht. Në të njëjtën kohë, do të ketë një kthim të pagës se parapaguar paraprakisht në fund të gushtit, ndërsa ata që pezullohen nga puna përkohësisht edhe nëse zgjedhin të vaksinohen më vonë, nuk është e sigurt se do të kthehen në të njëjtin vend pune”- tha Giannis Oikonomoi, zëdhënësi i qeverisë.

Mjekët epidemiologë paralajmërojnë se mund të ketë deri në 8000 infektime ditore, fenomen që do të pasojë me rritje të shtrimeve në spitale.
Presioni mbi sistemin spitalor është në kulmin e tij pasi në gjithë Greqinë spitalet shtetërore kanë arritur në 70% të kapacitetit, ndërsa në disa prej tyre nuk ka asnjë shtrat bosh nga shtrimet e njëpasnjëshme të pacientëve me Covid-19 .

Gjithashtu rëndësi të veçante i jepet vaksinimit të fëmijëve të moshave nga 12-17 vjeç dhe në ditët në vijim fillon fushata e informimit të prindërve. Synimi i qeverisë për të krijuar të ashtë quajturin murin e dëshiruar imunitar është që të ketë 1 milion të imunizuar deri në fund të shtatorit, shifër që vlerësohet se mund të arrihet me anë të vaksinimeve të cilat deri tani kanë shkuar në 5.7 milionë.

Top Channel