Zelandë e Re/ Një grua vdes disa ditë pasi u vaksinua me Pfizer

30/08/2021 08:42

Zelanda e Re ka raportuar vdekjen e parë që dyshohet të ketë lidhje me vaksinën Pfizer ndaj Covid-19.

Bëhet fjalë për një grua, e cila kishte disa ditë që ishte vaksinuar, ndërsa mbetet e paqartë mosha e saj.

“Ky është rasti i parë në Zelandën e Re, ku shënohet një vdekje disa ditë pas vaksinimit me vaksinën Pfizer. Ndërsa Qendra për Monitorimin e Reagimeve Anësore ka marrë raporte të tjera të vdekjeve të personave të vaksinuar kohët e fundit, por asnjë viktimë nuk konsiderohet se ka ndërruar jetë prej vaksinimit,” thuhej në një deklaratë.

Agjencia Evropiane e Barnave ka konsderuar miokarditin si një efekt anësor “shumë të rrallë” të vaksinave Covid të bëra nga Pfizer dhe Moderna, duke shtuar se efektet anësore ishin më të zakonshme tek meshkujt në moshë të re. Simptomat e miokarditit mund të përfshijnë dhimbje në gjoks, gulçim dhe rrahje jonormale të zemrës.

Ekspertët po i bëjnë thirrje kujtdo që përjeton këto simptoma në ditët pas vaksinimit që të kërkojnë menjëherë kujdes mjekësor.

Top Channel