Talebanët vrasin këngëtarin popullor: “S`ka muzikë në Afganistan”!

30/08/2021 15:29

Këngëtari popullor afgan Fawad Andarabi është ekzekutuar në rajonin e Hindukushit nga një luftëtar taleban, thonë mediat e huaja, sipas të cilave vrasja e pamëshirshme është kryer përpara syve të familjarëve të tij.

Talebanët e kanë ndaluar muzikën në vendin që morën nën kontroll pas dy dekadash, sepse e konsiderojnë dicka “jo të pastër”. The Times thotë se Andarabi u tërhoq zvarrë nga shtëpia e tij dhe u qëllua për vdekje, pa pasur mundësi as të mbrohej.

Ky episod ka shkaktuar indinjatë të madhe, ndërsa ka ripërtërirë frikën se pavarësisht atyre çfarë thonë, talebanët në të vërtetë nuk do të bëjnë gjë tjetër veçse do të rikthejnë regjimin e tyre shtypës të viteve 90`.

Si për ironi, në disa këngë të tij, Andarabi i thurte lavde vendit të vet, duke thënë se “nuk kishte të dytë në botë si ky komb krenar”. Sundimtarët e rinj të Afganistanit kanë nisur të ndalojnë “zërat femërorë” në provincën e Kandaharit, duke urdhëruar  që të mos ketë asnjë të tillë në radio dhe televizion.

Top Channel