Shiti kafshët, por nuk pati kohë të depozitonte paratë në bankë/ Fermeri bie pre e grabitësve, i vjedhin më shumë se 150 mijë euro

30/08/2021 16:10

Shtëpia e një fermeri në Agios Pneumatos në Serres, të Greqisë ka rënë pre e grabitësve. Mediat fqinje shkruajnë se me sa duket hajdutët kishin informacion të detajuar, pasi arritën të grabisnin një  sasi shumë të madhe parash.

Raportohet se autorët e dinin se në cilën orë qiramarrësi largohej nga shtëpia e tij dhe kishin qëndruar të fshehur derisa ai është larguar. Ngjarja ndodhi mëngjesin e ditës së djeshme.

Me t’u larguar pronari ata hynë dhe kontrolluan të gjitha dhomat, derisa gjetën shumën e parave prej 150.500 eurosh që pronari e kishte përfituar nga blerja dhe shitja e kafshëve, por që nuk kishte pasur kohë t’i depozitonte ato në bankë.

Me të marrë paratë autorët u larguan, ndërsa fermeri u trondit kur u kthye disa orë më vonë dhe pa se i ishte grabitur shtëpia dhe paratë. Ai lajmëroi menjëherë Policinë, e cila mbërriti në vendin e ngjarjes dhe i mori shenjat e gishtërinjve në përpjekje për të identifikuar autorët e vjedhjes.

Top Channel