Digjet kulla në Milano, banorët: Panelet u shkrinë si të ishin gjalpë!

30/08/2021 11:16

Zjarrfikësit në Itali u përfshinë në një luftë të gjatë e të vështirë me flakët që gllabëruan me shpejtësi një godinë rezidenciale 20 katëshe në Milano.

Banorët u evakuuan me shpejtësi. Kryebashkiaku Giuseppe Sala tha se nuk ka viktima apo të lënduar, por zjarrfikësit hynë në çdo apartament për t`u siguruar se askush nuk ka mbetur prapa.

Ndërtesa 60 metra e lartë, pjesë e një projekti zhvillimor që e bënte të dukej si bashi i një anijeje, përfshinte një imitim vele prej alumini në çatinë e tij, që u dogj e ra në rrugë e bërë copash. Banorët janë të tronditur; dikush qan, dikush nuk do që të flasë për mediat, dikush tjetër shpërthen i zemëruar në akuza: “Na thanë se panelet e jashtme ishin rezistente ndaj zjarrit por ato u shkrinë si të ishin prej gjalpi”! 70 familje që jetonin brenda ndërtesës janë detyruar të dilnin në rrugë, pa marrë dot asgjë me vete. Në katin përdhes ndërkohë kishte dhe dyqane. Njëri prej tyre kishte lodra fëmijësh.

“Nuk e dimë si është situata atje, por duke pasur parasysh pozicionin dhe sasinë e materialeve, mendoj se do të jenë shkatërruar të gjitha, thotë pronari. Këtu kalonim 12 orë të ditës, ky vend ishte praktikisht shtëpia jonë”, shton ai. Rindërtimi fillestar i ngjarjes tregon se flakët kanë nisur nga katet e sipërme, e ky variant konfirmohet edhe nga banorët. Brenda një ore, ato u përhapën me shpejtësi pasi gllabëruan të gjithë fasadën e ndërtesës.

FOTO GALERI
2/7

Top Channel