Amerikanët “shpërthejnë” kamikazin me raketa, ishte pranë aeroportit të Kabulit!

30/08/2021 11:25

Një tjetër sulm kamikaz kërcënoi aeroportin e Kabulit, por këtë radhë duket se katastrofa u shmang në kohë.

Ushtria amerikane njoftoi se përmes një sulmi me dron arriti të “eliminonte me sukses” një rrezik të ri, pikërisht në kohën kur evakuimet vazhdojnë. Kapiteni Bill Urban i Komandës Qendrore të SHBA, u shpreh se shënjestra, një automjet me të paktën një person të lidhur me Shtetin Islamik Khorasan, në bordin e së cilës kishte një sasi të madhe eksplozivi, është shkatërruar nga sulmi me raketa.

“Po shohim mundësinë e viktimave në civilë, por deri tani nuk ka të dhëna për diçka të tillë. Mbetemi vigjilentë për kërcënime të mundshme në të ardhmen”, tha Urban. Disa orë pasi Presidenti Biden tha të shtunën se ka gjasa që brenda 24-36 orëve të ardhshme aeroporti i Kabulit të sulmohet përsëri, ambasada amerikane atje u bëri thirrje shtetasve amerikanë të largohen nga perimetri i aeroportit, duke cituar shqetësimet e sigurisë.

Paralajmërimi u bën thirrje amerikanëve të shmangin zonën pranë aeroportit, përfshirë edhe ministrinë e brendshme dhe një pikë karburanti pranë aeroportit. Presidenti Biden tha përmes një deklarate të shtunën se ka rrezik për sulme të reja, ndërsa SHBA dhe aleatët e tyre përmbyllin tërheqjen e trupave dhe pajisjeve ushtarake nga Kabuli, vetëm dy ditë pasi një shpërthim vetëvrasës la të paktën 170 afganë dhe 13 ushtarë amerikanë të vrarë.

Top Channel