Rripi i Gazës: Avionët luftarakë izraelitë goditën objektivat e Hamasit

29/08/2021 09:05

Aeroplanët luftarakë izraelitë goditën objektivat e Hamasit, si një përgjigje ndaj gjuajtjes së balonave nga Rripi i Gazës, bëri të ditur ushtria izraelite.

Me miratimin e Hamasit, grupit militant islamik që kontrollon Gazën, organizatat palestineze njoftuan dje se do të rifillojnë demonstratat në kufirin e Izraelit me Rripin e Gazës në mënyrë që të nxisin lehtësimin e kufizimeve në Gaza.

Ushtria izraelite tha se qindra palestinezë ishin mbledhur përgjatë kufirit gjatë natës, duke qëlluar me eksploziv dhe duke djegur goma.

Sipas të njëjtës deklaratë, ushtria izraelite u përgjigj duke përdorur mjete shtypëse, ndërsa Shërbimet Shëndetësore në Rripin e Gazës njoftuan se të paktën gjashtë palestinezë u plagosën, me njërin prej tyre në gjendje të rëndë.

Disa orë më vonë, sulmet ajrore izraelite goditën një kompleks armësh të Hamasit dhe një tunel që thuhet se përdorej nga militantët e grupit. Nuk ka raportime për viktima nga bombardimet.

Top Channel