Dëshmitarët për BBC: SHBA qëlloi mbi civilët në Kabul?!

29/08/2021 12:29

Dëshmitarë okularë të sulmeve të së enjtes në aeroportin e Kabulit i thanë BBC-së se jo të gjithë që u vranë atë ditë, e humbën jetën nga agresori kamikaz.

29 vjecari Mohammad Niazi, një shofer taksie nga Londra, kishte udhëtuar drejt Kabulit për të ndihmuar kalimin e sigurtë të familjes së tij, por u vra së bashku me të shoqen përpara portës Abbey të aeroportit, ndërsa dy fëmijë të tyre mbeten të zhdukur.

Vëllai i tij, i intervistuar nga korrespondenti i BBC-së në kryeqytetin afgan thotë se të afërmit e tyre nuk u vranë nga shpërthimi, por nga të shtënat e armëve që nisën pas tij. Sipas vëllait të Mohammadit, të shtënat erdhën nga drejtimi ku ishin vendosur trupat amerikane që mbrojnë perimetrin e aeroportit.

“Aty ishin disa ushtarë amerikanë, në krah të ca trupave turke. Të shtënat u duk se erdhën nga ata në mesin e pështjellimit që u krijua”, citohet të ketë thënë ai.

Një tjetër dëshmitar foli edhe për një ish bashkëpunëtor të SHBA-së që mbeti i vrarë duke thënë se ai nuk kishte asnjë “plagë në trup vetëm një plumb pas veshit”. Lajmin e kanë përcjellë një sërë mediash të huaja, të cilat e theksojnë megjithatë se

pretendimet për “ zjarrin mik” janë të pakonfirmuara. Shpërthimet e së enjtes erdhën pak ditë përpara fundit të afatit për largimin e trupave amerikane nga Afganistani. Përgjegjësinë e ngjarjes ku u vranë dhe 13 trupa amerikane, e mori Shteti Islamik Khorasan.

 

Top Channel