Japonia pezullon përdorimin e 1,63 milion dozave të vaksinës Moderna për shkak të kontaminimit

27/08/2021 04:44

Japonia pezulloi përdorimin e rreth 1,63 milion dozave të vaksinës Moderna pasi u gjet kontaminim në shishet e papërdorura, duke ngritur shqetësimin për mungesën e furnizimit ndërsa vendi përpiqet të përshpejtojë vaksinimet mes rritjes së rasteve me koronavirusin e ri (COVID-19).

Ministria e Shëndetësisë tha se kontaminimi u raportua nga vende të shumta vaksinimi. Disa doza mund të jenë administruar, por nuk është raportuar për asnjë efekt negativ shëndetësor deri më tani, thanë zyrtarët.

Prodhuesi japonez i ilaçeve, Takeda Pharmaceutical Co, përgjegjës për shitjen dhe shpërndarjen e vaksinës në Japoni, tha se vendosi të pezullojë përdorimin e dozave të prodhuara në të njëjtën linjë prodhimi si masë paraprake sigurie. Ajo kërkoi nga Moderna të kryente hetim urgjent dhe u tha institucioneve mjekësore dhe organizatorëve që të ndalonin përdorimin e vaksinës së prodhuar në Spanjë.

Ministria e Shëndetësisë dhe Takeda nuk dhanë detaje mbi llojin e kontaminimit ose nëse dozat në fjalë mund të jenë shpërndarë jashtë Japonisë. Problemi i vaksinës Moderna u shfaq pikërisht derisa Japonia lufton me rritjen e numrit të infeksioneve, ku rastet e reja ditore kanë arritur nivele të larta në shumë pjesë të vendit, duke rënduar seriozisht sistemin e kujdesit shëndetësor./AA

Top Channel