Titulli kampion është objektivi madhor i Chelseat këtë sezon dhe pasi e nisi kampionatin me një sukses bindës ndaj Crystal Palace, skuadra e Tuchel do të kërkojë suksesin e radhës në derbin e Londrës ndaj Arsenalit.

Për sfidën e të dielës në “Emirates Stadium”, tekniku gjerman nuk do të ketë në dispozicion amerikanin Christian Pulisic, i cili ka rezultuar pozitiv dhe është vendosur në izolim të plotë, për të mos rrezikuar edhe lojtarë të tjerë të skuadrës.

Megjithatë Tuchel mund të mbështetet te blerja më e bujshme e kësaj vere, Romelu Lukaku, i cili është stërvitur me skuadrën dhe do të jetë i grumbulluar, teksa vetë trajneri gjerman nuk e ka përjashtuar mundësinë që belgu të luajë nga minuta e parë.

“Gjatë javës është stërvitur me lojtarët që janë disi më mbrapa në përgatitje, megjithatë duket në formë mjaft të mirë dhe mund të luajë nga minuta e parë. Gjithsesi një vendim final për të do ta marrim vetëm pasi të kryejmë edhe seancën stërvitore të të shtunës”, deklaroi trajneri gjerman.

Chelsea pagoi plot 115 milionë euro për kartonin e Lukakut, ndërsa trajneri Tuchel konfirmoi sërish se belgu është futbollisti që i mungonte klubit londinez, por njëkohësisht pranoi se po punon për të pasur edhe zgjidhje të tjera loje.

“Na mungonte një sulmues si Lukaku dhe them se kemi gjetur profilin e duhur për të udhëhequr repartin. Megjithatë ne po punojmë për të pasur edhe alternativa të tjera loje, në varësi të asaj që na imponojnë kundërshtarët në ndeshje të caktuara. Duam të jemi ende një skuadër e fortë, madje më e fortë se vitin e kaluar dhe me Lukakun kemi disa mundësi më shumë për të organizuar manovrën”, tha Tuchel.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA