Teuta vijon marshimin e saj në Kategorinë Superiore. Skuadra durrsake fitoi edhe ndaj Skënderbeut me rezultatin 2-0 në një sfidë që e mbylli me 10 futbollistë dhe ruan kreun e klasifikimit në kampionat.

Të besuarit e Edlir Tetovës e përcaktuan fatin e ndeshjes në favorin e tyre në pjesën e parë kur shënuan edhe të dy golat. Vetëm 16 minuta iu deshën durrsakëve që të zhbllokonin rezultatin me golin e Sherif Kallakut për të marrë kryesimin në rezultat 1-0. Në të 32 erdhi edhe goli i dytë për Teutën me autor Pedro Martelo dhe kështu skuadrat shkuan në pushimin e ndeshjes me rezultatin 2-0.

Në pjesën e dytë, Skënderbeu fitoi një 11 metërsh që u ekzekutua nga Bismark, gjuajtja e të cilit u ndal nga bernardoni. Topi shkoi te Zenullari, që shënoi, por goli i tij u anulua pasi futbollisti kishte hyrë në zonë para gjuajtjes së penalltisë. Ndërsa në minutën e 74, Teuta mbeti me 10 futbollistë pasi Boçi u ndëshkua me karton të kuq për reagim antisportiv ndaj Drame. Gjithsesi gjërat nuk ndryshuan më dhe rezultati mbeti 2-0 për Teutën që shkon në 16 pikë duke e mbajtur edhe për këtë jave vendin e parë në renditjes.

Në ndeshjen tjetër, Elbasani dhe Vora nuk shkuan më shumë se barazimi 1-1 në sfidën mes tyre duke ndarë nga 1 pikë secila. Ishte skuadra e Gvozdenovic ajo që shënoi e para në këtë përballje me Mazarin, por në fundin e pjesës së parë, Karrica shënoi golin e barazimit për Vorën. Në pjesën e dytë, portierët e të dyja skuadrave bënë ndërhyrjet e tyre duke shpëtuar skuadrat e tyre respektive nga pësimi i golave të tjerë. Elbasani pas kësaj ndeshjeje ngjitet për momentin në vendin e katërt me 7 pikë, ndërsa Vora shkon në 5 pikë.

 

Top Channel